KUPA E KOSOVËS
11 lojtarë me pikë dyshifrore, gjysmëfinalisti u caktua në vazhdime
4 February, 2021 @18:10
Një ndeshje fenomenale u zhvillua në mes të Ponte Prizrenit dhe Vëllaznimit.
Për ta caktuar fituesin në këtë duel, janë nevojitur të luhen edhe 5 minutat shtesë të vazhdimeve.
Ponte Prizreni i nisi vazhdimet me një seri prej 7-0, derisa Vëllaznimi më pas tentoi të kthehet por nuk arriti dhe kështu skuadra prizrenase e mposhti kundërshtarin me rezultat 109-106.
Nga të dyja skuadrat në total luajtën 11 basketbollistë me pikë dyshifrore.
Te Prizreni, Arti Hajdari shkëlqeu me 31 pikë, 2 kërcime e 1 asistim, derisa u ndihmua edhe nga Jeremiah Paige me 23 pikë dhe Divine Myles me 20 pikë të tjera.
Edhe te Vëllaznimi Andi Shehu luajti me 31 pikë, por nuk mjaftoi për fitore. Përveç Shehut u dalluan edhe Emmanuel Emogbo me 25 pikë, 16 kërcime e 9 asistime dhe me nga 18 pikë Deandre Ray dhe Cedric Council.
Prizreni u kualifikua nË gjysmëfinale të Kupës së Kosovës, derisa aty do të takohet me fituesin nga dueli Peja-Prishtina që luhet sonte nga ora 19:00.