EUROBASKET 2025 - PREQUALIFIERS: ZVICRA-KOSOVA
Pikët e Artisit në fund, ia sjellin fitoren e dytë Kosovës
30 July, 2023 @13:13
Ndeshje mjaft e luftuar e aspak e lehtë u pa të jetë ajo e mbrëmshja kur Kosova mezi arriti të fitonte Zvicrën në Fribourg, dhjetë ditë pasi që e kishte mposhtur lehtë në Prizren.
Sidoqoftë, me angazhimin e madh të Dardan Berishës dhe Drilon Hajrizit, që mbeten dy më të mirët e Kosovës, Kosova përkundër vështirësive në lojë dhe disavantazhit, arritën të kthehen në lojë në çerek të fundit për të fituar ndeshjen, 72-76 [21-20, 18-15, 22-21, 11-20].
Me pikë, Kosova ka dalë në pozitë të parë të grupit, ndërsa tash Zvicra udhëton për të luajtur me Danimarkën, para se danezët të vinë në Prizren për vendimtaren, kush kualifikohet tutje.
Dominic Artis ishte koshashënuesi më i mirë i Kosovës në këtë ndeshje, me 22 pikë, 4 asistime e 6 kërcime. Artis në fund u tregua vendimtar, duke dhënë 3 nga 4 gjuajtjet e lira që i mori në dispozicion pas faulimeve të helvetëve, për t’i shënuar dhe për të siguruar fitoren në fund.
17 pikë e 8 kërcime i bëri Drilon Hajrizi, ndërsa Dardan Berisha dha 14 pikë, 2 asistime e 4 kërcime në fitoren e rëndësishme për Kosovën.
Ndeshjet e mbetura në Grupin H:
2 gusht, Danimarka-Zvicra
5 gusht, Kosova-Danimarka
TABELA AKTUALE E GRUPIT H:
1. Kosova 2-1
2. Danimarka 2-0
3. Zvicra 0-3.
*Në rast të pikëve të barabarta në fund të ndeshjeve, atëherë shikohet bilanci mes ekipeve. Pra nëse Kosova e Danimarka kryejnë grupin me bilanc 3 fitore e 1 humbje, atëherë shikohet koshdallimi mes ndeshjeve të tyre. Danimarka ka fituar Kosovën me 7 pikë dallim. Pra, Kosova duhet që ta mposhtë Danimarkën me 8 pikë dallim minimalisht.◼️