STATS @ FIBA EUROPE CUP 2018/19
Anderson i Prishtinës te asistuesit më të mirë
4 December, 2018 @19:01
Pas gjashtë xhirove të fazës së rregullt të garave të FIBA Europe Cup me 32 ekipe pjesëmarrëse, faqja zyrtare e kësaj gare ka përmbledhur lojtarët më të dalluar të kësaj faze.
E aty, te asistuesit më të mirë është edhe playmakeri i Prishtinës, Kyan Anderson, që ka përfunduar në TOP 3 asistuesit e FIBA Europe Cup 2018/19 për fazën e rregullt.
Anderson për kah renditja është i dyti, me 7 asistime si mesatare në 5 ndeshje të zhvilluara të kësaj gare, pas Brandon Brownit të Balkanit me po aq asistime por nga gjashtë ndeshje dhe para Skyler Bowlinit të s. Oliverit Wurzburgut, gjithashtu me 7 asistime por nga 3 ndeshje.
E pikërisht ky i fundit bën pjesë në ekipin që Prishtina do ta ketë kundërshtar në fazën e dytë të garës.
Prishtina për herë të parë në histori të saj ka kaluar në fazën e dytë të FIBA Europe Cup me trajner Damir Mulaomerovicin, ndërsa aty do të ketë kundërshtarë ekipe si: s. Oliver Wurzburg, Szolnoki Olaj dhe Pinar Karsiyaka.
Garat e kësaj faze nisin më 12 dhjetor, ku Prishtina në duel të parë të saj do të jetë mysafire e ekipit gjerman s. Oliver Wurzburg.
Dy ekipet që përfundojnë të parat në grup, do të kalojnë në fazën eliminatore të garës, në mesin e 16 më të mirëve.