MAQEDONIA - KOSOVA
Pësojmë edhe në Maqedoni
2 December, 2018 @19:30
Pas dy humbjeve në dy ndeshjet e para, Kosova është mposhtur edhe në ndeshjen e tretë të fazës parakualifikuese drejt EuroBasket2021.
Kosova sonte u mposht në Gjevgjeli nga përfaqësuesja e Maqedonisë me rezultat 78-68, për t’i humbur kështu shancat për kalimin e grupit.
Nën udhëheqjen e Bojan Trajkovskit, Maqedonia e dominoi çerekun e parë, ndërsa Kosova u përmirësua dukshëm në të dytin, për të shkuar në pushim mes pjesëve me disavantazh prej 4 pikëve, 39-35.
E në pjesën e dytë, Maqedonia përsëri e mori lojën në dorë dhe nuk e lëshoi deri në fund, për ta mbyllur ndeshjen me fitore.
Më i dalluari te përfaqësuesja e Maqedonisë sonte ishte Bojan Trajkovski me 23 pikë, 13 kërcime, 3 asistime, 2 bllokada dhe 1 vjedhje të topit, kurse te Kosova edhe sonte më të mirët ishin Dardan Berisha me 19 pikë, 5 kërcime, 5 asistime dhe 1 vjedhje tè topit dhe Lis Shoshi me 18 pikë, 15 kërcime e 1 bllokadë.
Pasi që Maqedonia na kishte mposhtur edhe në Prishtinë, kjo humbje bën që Kosova t’i humbë gjasat për kalim në fazën kualifikuese përmes fazës parakualifikuese të EuroBasket2021, mirëpo këtë gjë ka gjasa ta bëjë në gushtin e vitit 2019 përmes një lloj ‘turneu’ tjetër, detaje për të cilin do të bëhen të ditura më vonë.
Sa i përket ndeshjes së fundit në këtë grup, Kosova e luan atë ndaj Rumanisë në shtëpi më 24 shkurt 2019.