ZHVILLIME
A e bllokoi Bashkimi Jonesin?!
18 March, 2016 @14:29
Canterbury Rams nuk ka angazhuar fare në ndeshjen e radhës së saj në ligën zelandeze basketbollistin e larguar nga Bashkimi, Marcel Jones.
Si duket deponimi i kontratës së tij nga ekipi portokall-e-zi në FBK ka bërë që të reagojë FIBA dhe lojtari në fjalë nuk guxon të luaj atje, derisa nuk e ka fletë-lëshimin e Bashkimit, me të cilin ka kontratë ende.
Burime nga klubi portokall-e-zi i Prizrenit bëjnë të ditur se ekipi i Canterburyt duhet të paguajë dëmshpërblim te Bashkimi nëse dëshiron që ta lirojnë lojtarin para skadimit të kontratës së tij, mëson Borozani.com.
Canterbury është mposhtur mbrëmë nga Taranaki ngushtë 69-71. Jones është paraqitur në ndeshjen e parë të stinorit për Canterburyn, por jo edhe në të dytën.
Bashkimi kishte thënë se lojtari ishte larguar për arsye familjare dhe nuk ka ditur për marrëveshjen e fshehtë të lojtarit.
Mbetet të shihet se si do të zgjidhet çështja Jones, ndërmjet ekipit të Canterbury dhe Bashkimit.