GAME 5: BASHKIMI - PRISHTINA
Bashkimi humbë titullin në Prizren, Prishtina kampione e Kosovës!
27 April, 2019 @20:44
Vajzat e Prishtinës janë kampione të Kosovës për sezonin 2018/2019 të Superligës së Femrave.
Të drejtuara nga Fidan Shatri e Ismet Ferati, vajzat e Prishtinës sonte e fituan ndeshjen e pestë të serisë mes tyre dhe Bashkimit, kampionit në fuqi të Kosovës, dhe pas 3 fitoreve nga 5 ndeshjet e zhvilluara, titulli shkon te skuadra kryeqytetase.
Pas 4 ndeshjeve të para, rezultati në seri ishte 2-2, ndërsa në ndeshjen vendimtare të zhvilluar sonte në Prizren, mysafiret nga kryeqyteti triumfuan me rezultat 71-76, për t’u shpalluar kështu kampione të Kosovës për këtë sezon.
Në fakt, skuadra e Bashkimit kishte epërsi 5-pikëshe pas pjesës së parë, 39-34, mirëpo ishte çereku i tretë ai në të cilin vajzat e Prishtinës e kthyen ndeshjen në kahun e tyre dhe arritën ta mbyllin ndeshjen me fitore 71-76.
Për t’u përmendur është fakti që vendaset e ngushtuan rezultatin deri në 3 pikë, 71-74, shumë pak pa përfunduar dueli, mirëpo në momentet vendimtare, e saktë nga gjuajtjet e lira për mysafiret u tregua Irma Konjusha, për t’ia dhënë kështu pikët vendimtare të fitores skuadrës së saj.
Danisha Shaw, e vetmja me pikë dyshifrore te Bashkimi, me plot 41 pikë të shënuara ishte më e dalluara te Bashkimi sonte, derisa te Prishtina pikë dyshifrore kishin pesë lojtare, prej tyre më së shumti Saranda Daci, 18.