YLLI - BENFICA

Fotot: BCL
Benfica eliminon Yllin nga Liga e Kampionëve
21 September, 2022 @23:43
Ylli nuk ka arritur të kalojë pengesën e parë në çerekfinale kualifikuese për Ligë të Kampionëve në Basketboll (BCL). Benfica falë ekipit të gjerë, të 12 lojtarëve në dispozicion të trajnerit Norberto Alves ka kaluar lehtë në pjesë të dytë kampionin e Kosovës, që luajti kryesisht me gjashtë lojtarë tërë ndeshjen!
Kampioni i 28-fishtë i Portugalisë në pjesë të dytë krijoi dallim të madh në rezultat, që ishte e pamundur nga ekipi suharekas të bëj më shumë në çerek të fundit dhe kështu me rezultat 67-92 [19-14, 23-28, 16-29, 9-21] Benfica kalon në gjysmëfinale të kualifikimeve për Ligë të Kampionëve.
Numri i madh i topave të humbur nga Ylli gjithashtu ishte një faktor i rëndësishëm në lojë, derisa përfunduan ndeshjen me 26 topa të humbur karshi 15 të kundërshtarit.
Dy, ndër lojtarët kryesorë të Yllit nuk ishin në dispozicion të trajnerit Adis Beciragic për shkak të lëndimeve, ku trajneri boshnjak nuk mund të llogariste në Malcolm Armsteadin dhe Gëzim Morinën fare, edhe pse qëndronin në bankën rezervë.
Sa i përket lojtarëve, te Benfica me nga 15 pikë më efikasit ishin Jose Barbosa dhe Terrell Carter. Te Ylli Bashir Ahmed luajti me 27 pikë, duke pushuar vetëm gjysmë minuti në tërë ndeshjen, ndërsa bëri edhe 4 kërcime e 3 asistime. Me 15 pikë luajti Valon Bunjaku, që bëri edhe 5 asistime, ndërsa Henrik Sirko shënoi 10 pikë, të gjitha në pjesë të parë!
Me këtë, Ylli eliminohet nga faza kualifikuese për Ligë të Kampionëve dhe bartet në FIBA Europe Cup.