FITORJA E DYTË SEZONALE
Borea rrezikon në fund, por fiton
6 October, 2023 @20:22
Borea e Pejës ka pasur epërsi në pjesën më të madhe të ndeshjes ndaj Kerasan Prishtinës, por një seri e mirë e kryeqytetasve në çerek të fundit barazoi gjithçka kur kishin mbetur edhe 58 sekonda deri në fund të ndeshjes, për 89-89. Mirëpo, ekipi i Hekuran Husajt u tregua i saktë në dy tentime nga dy gjuajtje të lira, duke shënuar tre nga katër mundësi dhe kundërshtari duke mos arritur të sigurojë pikë në sulmet e tij, fitoi ndeshjen me 89-92.
Kjo ka qenë fitorja e dytë në dy xhirot e para të stinorit për Borean, ndërsa Kerasan Prishtina ka pësuar për herë të dytë. Andi Ahmeti me 20 pikë e 6 kërcime ka qenë koshashënuesi më i mirë i pejanëve sonte, ndërsa 16 të tjera dhe një asistim i mungoi Sokol Nilës për të përfunduar duelin me triple-double, pasi që kishte bërë 10 kërcime.
Te venadasit dhe në përgjithësi i ndeshjes, koshashënues më i mirë ka qenë Eris Zeneli me 30 pikë, duke bërë edhe 4 asistime e 9 kërcime gjatë ndeshjes, ku nuk u pushua fare duke luajtur të 40 minutat në dispozicion që ia dha trajneri Dritëro Sefaja. Njëzetë pikë i shënoi Ergin Grosha për Kerasanin, që në kombinim me Zenelin dhanë më shumë se gjysmën e pikëve të ekipit të tyre.