KAPITENJA E PENZËS

Bytyqi: Nuk japim Kupa në Pejë
26 April, 2021 @23:58
Kapitenja e skuadrës së Penzës, Valbona Bytyqi, pas fitores së sotme përballë Bashkimit, tha se skuadra e saj nuk lejon që kupa të ngritet në Pejë nga një skuadër tjetër.
Ndeshja e zhvilluar në Karagaçi të Pejës përfundoi me rezultat 72-58 në të mirë të Penzës, duke mos lënë Bashkimin që me fitore të shpallet kampion i Kosovës.
“Ishte ndeshje mjaft e fortë. Thjeshtë vendos përvoja që ishte në anën tonë. Nga fillimi ne treguam që nuk lejojmë këtu në Pejë me dhënë kupa. Besoj që jemi komponuar. Unë kam thënë edhe herën e kaluar dhe prap e përsëris, jam e etur për të ngritur një kupë. Ka tri vite që po bëj pauzë dhe jam kthyer për këtë lojë, për këtë fitore dhe për këtë finale. Mendoj që përvoja është në anën tonë, edhe pse Bashkimi ka 7-8 lojtare e ne vetëm diku 5-6, atje është vetëm një lojë dhe unë besoj që do ta ngris titullin”, tha kapitenja e skuadrës për Art Sport.
Pas fitores së Penzës, rezultati i serisë finale të Play Off-it në Ligën e Femrave tani është i barabartë në 2-2, ndërsa kampioni do të shpallet në ndeshjen e fundit vendimtare që do të luhet në Prizren.