OLIMPIADA DIMËRORE - PYEONGCHANG 2018
Ditari Olimpik nr. 11 – Vikingët
Shkruan: Luan MORINA
19 February, 2018 @20:39
Në Salt Lake City më 2002, 77 sportistë i kishin sjell Norvegjisë 25 medalje, 13 prej të cilave të arta. Për momentin, ky është numër rekord për një vend sa i përket numrit të medaljeve të arta në Lojërat Olimpike Dimërore.
Në PyeongChang, 109 sportistë për dhjetë ditë i kanë sjell Norvegjisë 28 medalje, 11 prej të cilave të arta. Ky është rekord për Norvegjinë në histori të Lojërave Olimpike dhe pritet të shtojë edhe nja 3 në total së paku – me garat e kros kountrit akoma të papërfunduara.
Fitorja në garat ekipore në kërcime me ski, ishte një duel direkt me Gjermaninë në luftën e përgjithshme për medalje. Gjermanët kishin nisur furishëm këtë Olimpiadë, por gjasat e tyre për medalje shtesë gati se janë shterur, me vetëm bobsleigh edhe biathlonin ekipor si mundësi të vetme të mbetura.
Derisa Gjermania me 10 të arta ndjek në hije Norvegjinë, Kanadaja dhe Holanda mbeten pas me nga 6 të arta.
Kanadaja sot deklasoi Atletët Olimpik të Rusisë në gjysmëfinalen në hokej mbi akull. Kanadezët siguruan finalen ndaj SHBA-ve të cilat me rezultat të ngjashëm, 5-0 mposhtën Finlandën. Tek meshkujt janë mësuar katër çerekfinalistët e parë – Çekia, Atletët Olimpik të Rusisë, Kanadaja, dhe Suedia.
Garat ekipore që po ecin kah fundi janë edhe ato në kurling. Tek femrat, befasisht Koreja dhe Japonia janë në krye të renditjes para ditës së fundit të garave, me Kanadanë që pothuajse është eliminuar. Kampionët aktual olimpik janë pak më mirë tek meshkujt. Ende me gjasa për garat finale, ata ndjekin Suedinë dhe Zvicrën para ditës së fundit të garave.
Me tri finale në program, pos garave ekipore në kërcime me ski, ngjarja kryesore e ditës ishte rekordi i Tessa Virtue e Scott Moir në programin e shkurtër të vallëzimit në patinazh artistik. Kanadezët përfunduan para dyshes franceze Gabriella Papadakis e cila pati një problem me garderobë, dhe Guillaume Cizeron.
Sonte në ora 2 është programi i gjatë në vallëzim, që është edhe finalja e parë e ditës. Gjysmë ore më vonë nisin garat në halfpipe në skijim të lirë tek femrat.
Skitarët në kombinimin nordik garën në kërcime me ski e nisin në ora 11, me finalen në kros kountri në distancën 10km në ora 13:45. Para kësaj finaleje, stafeta e përziera në biathlon nisin në ora 12:15, me garën ekipore në patinazh në shtigje të shkurtra, femrat në 3000m që nis në ora 12:20.