US OPEN
Djokovic triumfon në US Open, i 14-ti Grand Slam
10 September, 2018 @12:36
Novak Djokovic është fitues i US Open.
Në finalen e luajtur mbrëmë në New York, Nole triumfoi ndaj argjentinasit Juan Martin Del Potro, në një duel i cili u përshkrua me një publikë tejet të zhurmshme, që shpeshherë pengonte lojën e teniserëve dhe detyronte gjyqtaren që të kërkonte qetësi.
Seti i parë u fitua bindshëm nga Djokovic, ndësa atraktiv për shikuesit ishte seti i dytë, i cili shkoi në ‘tie-break’. E aty, me gabime të shumta në gjuajtjet ‘forehand’, Del Potro nuk arriti ta barazojë rezultatin mes seteve, duke bërë që ndeshja të shkonte në 2-0 për teniserin serb dhe praktikisht çdo dilemë sa i përket fituesit të mbyllej.
Ky është Grand Slam-i i 14 i fituar në karrierën e Djokovicit, i cili tashmë në kabinetin e tij të trofeve ka 6 tituj të Australian Open, 4 të Wimbledon, 3 të US Open dhe 1 të French Open. Kështu, Djokovic barazon të mirënjohurin Pete Sampras sa i përket Grand Slameve të fituar, të dy kanë nga 14, derisa para tyre ndodhen Roger Federer (20) dhe Rafa Nadal (16).