ANTONIS CONSTANTINIDES
Dua të qëndrojë gjatë në Prishtinë
17 January, 2016 @23:43
Trajneri qipriot, Antonis Constantinides, i cili erdhi në krye të Sigal Prishtinës javë më parë duke e zëvendësuar trajnerin e larguar, Marjan Ilievski, po synon të jetë më jetëgjatë se paraardhësi i tij.
Constantinides, në një intervistë të tij për kanalin televiziv RTV 21, ka shprehur qëndrimet e tij në lidhje me këtë çështje.
“Gjithmonë në skuadrat ku kam qenë, kam panuar për së paku 2 vite, ndërsa më së shumti për katër vite. Edhe këtu dua që të ndodh e njëjta gjë,” tha strategu i bardhekaltërve, derisa shtoi: “Megjithatë, tani nuk dua të flas për këtë, pasi që para se të mendoj për të ardhmen, dua të përqëndrohem për të tashmen.”
Constantinides, ndër tjerash foli edhe për dy skuadrat tjera kosovare në Ligën Ballkanike, Pejën dhe Bashkimin, duke thënë se do të ketë rivalitet të fortë deri në fund sidomos në luftë për titujt vendor.
Qiprioti ndeshjen e parë me Sigal Prishtinën e kishte drejtuar më 13 janar, kur pat shënuar fitore përballë skuadrës nga Mali i Zi, Mornar, duke ia shkaktuar humbjen e parë kësaj të fundit në kuadër të Ligës Ballkanike.