OLIMPIADA DIMËRORE - PYEONGCHANG 2018

E arta e parë për Kallan
10 February, 2018 @9:32
Suedezja Charlotte Kalla ka fituar të artën e parë në Olimpiadën Dimërore në PyeongChang. E argjendtë nga Sochi, Kalla shfrytëzoi mirë tatëpjetën e parafundit dhe më të thepisur 3 kilometër para fundit për të krijuar avantazh ndaj tetë ndjekësve tjera, përfshirë norvegjezen Marit Bjoergen.
Kalla përfundoi garën në kohë prej 40:44.9, duke lënë mbrapa kampionen olimpike nga Sochi në disiplinën e Skiathlonit, Marit Bjoergen, për 7.8 sekonda. Për norvegjezen veterane, ishte kjo medalja e njëmbëdhjetë olimpike. Ndërkohë, finlandezja Krista Parmakoski u rendit e treta (10.1 sekonda pas) për medaljen e parë olimpike të saj në karrierë.
Nesër në mëngjes (7:15) zhvillohet gara e skiathlonit për meshkujt që është dyfish më e gjatë – 15km stil klasik + 15km stil i lirë.