PËRPLOT

TOPSPORTI/ A. P.
“Fadil Vokrri” nesër me 12 mijë “dardanë”
19 March, 2025 @23:52
Gati të gjitha biletat për ndeshjen e parë të playoffit mes Kosovës dhe Islandës janë shitur tashmë, kur kanë mbetur më pak se 24 orë për ndeshje. Kosova pret Islandën në kuadër të playoffit të Ligës së Kombeve, fituesi i së cilës nga dy ndeshjet do të sigurojë Ligën B të Kombeve.
Kosova, asnjëherë më parë nuk ka qenë pjesë e Ligës B të Kombeve dhe një arritje e tillë do të ishte historike për “Dardanët”. E për këtë, adhuruesit e Kosovës tashmë kanë blerë mbi 12 mijë bileta që ishin në shitje për “Fadil Vokrri” me datën 20 mars për duelin që nis prej orës 20:45.
Kjo garanton atmosferë të zjarrtë për lojtarët, të cilët do të motivohen edhe më shumë para ndeshjeve jetike ndaj islandezëve, ku dueli i parë do të kërkojë rezultat sa më të mirë të mundshëm para ndeshjes së kthimit.
Bileta ka shumë pak aktualisht. Kanë mbetur disa në sektorin e katërt të Lindjes, rreth 30 në Perëndim dhe po aq në sektorin 2 të VIP-ave. Pjesët tjera të stadiumit janë shitur komplet - gjë që garanton atmosferë të fuqishme gjatë 90 minutave të rëndësishme për ekipin e drejtuar nga selektori Franco Foda.