PLAYOFFI I LIGËS SË KOMBEVE
E konfirmuar, ndeshja e kthimit Islanda-Kosova luhet në Spanjë
4 February, 2025 @21:35
Përballja e playoffit për Ligën B/C të Kombeve, ku Kosova do të luajë me Islandën tashmë i di datat. Derisa ndeshja e parë luhet në Prishtinë, në “Fadil Vokrri” më 20 mars, ajo e kthimit nuk do të luhet në Rejkjavik të Islandës.
Muajin e kaluar Islanda botoi në faqen e saj zyrtare se ndeshja do të luhet në Mursia të Spanjës, ndërsa në fillim të këtij muaji edhe UEFA në faqen zyrtare të saj konfirmoi këtë vendim të islandezëve, duke theksuar se stadiumi i ndeshjes së kthimit Islanda - Kosova është “Enrique Roca” në Murcia të Spanjës.
Stadiumi në fjalë ka kapacitet prej mbi 31 mijë ulëseve. Përndryshe, ekipi që del më i mirë nga këto dy duele me rezultat, do të garojë në Ligën B të Kombeve në ciklin tjetër të garës, ndërsa humbësi do të vazhdojë garat në Ligën C të Kombeve.
Kosova kishte përfunduar e dyta në Ligën C të Kombeve ku fituese doli Rumania. Me rregullat e reja, edhe vendi i dytë tashmë shpreson për Ligën B, duke luajtur ndeshje playoffi me njërin nga vendet e treta të Ligës B, që në short u përcaktua të jetë Islanda.
PLAYOFF I LIGËS B/C TË KOMBEVE:
20 mars 2025, KOSOVA - Islanda (20:45) — “Fadil Vokrri” Prishtinë, Kosovë;
23 mars 2025. Islanda - KOSOVA (18:00) — “Enrique Roca” Murcia. Spanjë.
Murcia është qytet afër bregdetit të Mesdheut në juglindje të Spanjës, mes qyteteve të Valencias dhe Almerias.