7 SHKURT

Foto: FCDrita/ fb
Fundjavën tjetër, nis pjesa pranverore e Superligës
2 February, 2025 @12:54
Tetëmbëdhjetë xhiro të kaluara gjatë vjeshtës për një edicion interesant të Superligës, kurse 18 të tjera pranverore në ardhje për të përcaktuar kampionin dhe skuadrat që do ta dalin në gara evropiane, por edhe ato që do të bien!
Drita lidere ka 40 pikë pas XVIII xhirove të para të Superligës, me shtatë më shumë sesa ndjekësi i parë, kampioni aktual Ballkani. Në pozitën e tretë është Malisheva me 30 pikë.
Pozita e katërt është në dorë të Prishtinës, që ka 27 pikë, ndërsa Suhareka, debutuesja në Superligë është e pesta me 25 pikë. Gjilani i gjashti ka 21 pikë, njëjtë sikurse Dukagjini në pozitë të shtatë. Këto pozita sigurojnë Superligën edhe për një stinor.
Ferizaji është në zonën e barazhit, pozita e tetë, me 20 pikë. Dy më pak ka Llapi që është në zonë të rënies me Feronikelin’74 që ka vetëm 10 pikë nga gjysma e ndeshjeve të stinorit.
E pranvera në Superligë nis më 7 shkurt. Ballkani pret Dukagjinin, kurse Drita luan derbi ndaj Malishevës. Më 8 shkurt Llapi përballet me Gjilanin, ndërsa Prishtina me Suharekën. 9 shkurti është ditë pushimi për shkak të zgjedhjeve parlamentare në Kosovë. E të nesërmen Ferizaji pret Feronikelin’74 në përballjen që mbyllë xhiron e XIX të Superligë - të parën për pranverë.
Të gjitha skuadrat kanë përfunduar përgatitjet parasezonale me miqësore të ndryshme, varësisht ku qëndruan këto ditë, Antalya apo Durrës, një pjesë e madhe. Ndërsa edhe FFK në mbledhjen e KE-së së saj, ka thënë se sipas planprogramit Superliga do të fillojë më 7 shkurt, ndërsa ka bërë thirrje që të mbizotërojë fryma e fairplay-it derisa ka garantuar garë të drejtë dhe rregullsi maksimale!