FBK
FBK, me sistem të ri të garave
16 July, 2014 @16:27
Në krahasim me stinorin 2013/14, stinori i ri në basketboll do të ketë disa ndryshime.
Në mbledhjen e mbajtur të hënën të Bordit të Federatës së Basketbollit të Kosovës, janë marrë disa vendime të rëndësishme në lidhje me sistemin e garave në ETC Superligë, Play Off dhe IPKO Kupë.
Kështu, ETC Superliga do të luhet me sistem të njëjtë sikurse është luajtur deri tash, pra me sistem të dyfishtë (stinori vjeshtor dhe pranveror), me dy herë vajtje-ardhje, ndërsa ndryshe nga stinorët e më parshëm, sivjet gara e Play Offit do të jetë më e gjatë, pasi në gjysmëfinale fituesi do të përcaktohet me arritjen e 3 fitoreve (e jo 2 siç ishte deri më tani) me sistem 1-2-2, që do të thotë se skuadra e cila është më e mirë e renditur, ndeshjen e parë do ta zhvillojë në palestrën në të cilën i zhvillon ndeshjet, 2 të tjerat si mysafir dhe eventualisht 2 ndeshjet tjera përsëri në palestrën apo vendin e tyre.
E seria finale nuk do të ndërrohet. Pra do të vazhdojë sistemi 1-1-1-1-1 deri në 3 fitore.
Kupa gjatë shkurtit
Ndër tjerash, në mbledhjen e Bordit janë marrë vendime edhe për sistemin e garave në IPKO Kupën e Kosovës, e cila do të zhvillohet gjatë muajit shkurt, në terminin të cilin do ta përcaktoj më vonë Bordi i FBK-së.
Sipas sistemit të ri, ekipet do të ndahen në 4 grupe dhe bartësi i grupit do të jetë ekipi më i mirë i plasuar në ETC Superligë në pjesën vjeshtore të edicionit aktual, ndërsa ekipet pjesëmarrëse në gjysmëfinale të Kupës do të jenë fituesi i grupit A me fituesin e grupit C dhe fituesi i grupit B me fituesin e grupit D.
Në gjysmëfinale do të përfshihen edhe Sigal Prishtina dhe Peja, ku çiftet do të nxirren me hedhjen e shortit - ashtu si në stinorin e kaluar 2013/14.