FBK

FBK synon rritjen e numrit të vajzave në basketboll
Nga FBK
9 March, 2021 @18:16
Federata e Basketbollit e Kosovës tash e tre vite është pjesë e projektit “Her World, Her Rules” (Bota e Saj, Rregullat e Saj).
“Her World, Her Rules” është një projekt unik dhe fushatë në mediat sociale, e udhëhequr nga FIBA Europe që ka për qëllim të promovojë basketbollin e femrave dhe vajzave nëpër Evropë nëpërmjet aktiviteteve të ndryshme që realizohen në partneritet me Federatat Nacionale.
Federata e Basketbollit e Kosovës është pjesë e projektit FIBA Europe Girls’ Program tash e tre vite dhe është duke e implementuar me mjaft sukses këtë projekt, ku FIBA Evropa pas evaluimit të vitit të parë të projektit të FBK-së, ka vendosur që të vazhdojë mbështetjen edhe për një vit tjetër për FBK-në, e cila ka arritur që të rrisë numrin e vajzave të reja që e praktikojnë basketbollin, dhe njëkohësisht duke e rritur edhe numrin e klubeve të femrave.
Federata e Basketbollit e Kosovës është e vendosur që të punojë në masivizimin e basketbollit femëror, dhe mbështetja nga FIBA Evropa nëpërmjet projekteve të tilla si FIBA Europe Girls Program dhe kampanja “Her World, Her Rules” është rruga e duhur për të arritur këtë qëllim.