Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

TRIUMF NË "FADIL VOKRRI"

E treta me radhë, Kosova kalon Qipron

Fotot: FFK

E treta me radhë, Kosova kalon Qipron


15 October, 2024 @22:53

Kosova ka arritur të shënojë fitoren e tretë me radhë në kuadër të Ligës C të Kombeve për të vazhduar ndjekjen ndaj Rumanisë. Kapiteni Amir Rrahmani ka zgjidhur lojën fillimisht, duke shënuar pas një depërtimi në zonë, kur u asistua nga zëvendësuesi Florent Muslija për 1-0! Në pjesë të dytë erdhën edhe golat tjerë, kur së pari ka qenë Ermal Krasniqi që rehatoi ndeshjen me golin e dytë, kurse zëvendësuesi tjetër Emir Sahiti siguroi fitoren, Kosova - Qipro 3-0 [Amir Rrahmani 30’, Ermal Krasniqi 52’, Emir Sahiti 70’].

Pas një gjysmërasti në fillim të ndeshjes për Albion Rrahmanit, Milot Rashica u lëndua dhe u zëvendësua nga Florent Muslija (16’). Zëvendësimi i hershëm i detyruar bëri që Muslija të gjejë më vonë Amir Rrahmanin në aksionin që e kishte nisur vetë, për të siguruar golin e epërsisë (30’).

Në fillim të ndeshjes, pas një fauli ndaj Edon Zhegrovës u ndëshkua Nicolas Ioannou me karton të verdhë. Por, papjekuria e Zhegrovës përsëri doli në skenë, ku duke reaguar ndaj lojtarit mori karton edhe ai (8’)! Selektori Franco Foda u desht ta qetësonte Zhegrovën për të mos lënë ekipin në hendikep që nga fillimi i ndeshjes!

Gjithsesi ndeshja vazhdoi, ndërsa Qiproja jashtëzakonisht e rrezikshme në organizim të sulmit ka pasur tre raste të mira për të shënuar - gola të cilat nuk erdhën vetëm falë mosaftësisë individuale të futbollistëve, përndryshe nuk do të shkruhej mirë për Kosovën vazhdimi i ndeshjes.

TABELA, REZULTATET & ORARI

Pjesa e dytë tregim tjetër. Edhe pse qendra e mesfushës së Kosovës me Lindon Emërllahun e Muharrem Jasharin dukej inekzistente, Muslija bënte mund të madh për të stabilizuar atë pjesë. Arijanet Muric prapa rrezikonte gjithçka si zakonisht, pa pasur nevojë, por në dy raste të qindpërqindta për gol të rivalit, nxorri veten!

Dalja e Qipros për të kërkuar gol i dha mundësi Kosovës që të shfrytëzojë topa të gjatë, për të kërkuar më mirë golin në krahasim me pjesën e parë. Albion Rrahmani s’arriti ta shtyejë topin në luftë me portierin, ndërsa ende pa rënë topi në tokë, Ermal Krasniqi e godet me volej për 2-0 (52’)

Ky gol solli hapje edhe më të madhe të qipriotëve të drejtuar nga trajneri i tyre i ri, Sofronis Avgousti, që më pas rezultoi edhe në gol të bukur të Emir Sahitit për përfundimtaren 3-0 (70’). Sahiti ishte futur në lojë tre minuta më parë për të zëvendësuar Edon Zhegrovën e tejemocionuar sot në fushë, që bënte shenja refuzimi për tu zëvendësuar dhe gjestikulonte me bankën e Kosovës, derisa zhgënjimi për zëvendësim u pa edhe duke kaluar përreth portës derisa ecte drejt bankës. E Sahiti shënoi në mënyrë mjeshtërore, duke plasuar topin e dëbuar nga portieri Demetris Demetriou, pasi që ky i fundit kishte ndalë që Albion Rrahmani të shënonte nga një pozitë ideale.

Fidan Aliti më vonë zëvendësoi kapitenin Amir Rrahmani, ndërsa Albion Rrahmanin e zëvendësoi Fisnik Asllani (78’), ku ky i fundit humbi rast ideal, kur mbeti i vetëm para portierit mysafir. Në fund, Kosova mori tre pikë me fitoren 3-0, por edhe Rumania në ndedshjen tjetër kapi tre pikët e saja të pritura. “Dardanët” vazhdojnë të shpresojnë për ndeshjet e nëntorit, ndërsa nga loja e sotme nuk kishte diçka shumë për tu veçuar, pos kapitenit stabil, Ermal Krasniqit e Florent Muslijës standard si dhe Emir Sahitit punëtor, edhe pse me pak minuta. 

Në nëntor, Kosova udhëton në Rumani për ndeshjen vendimtare në grup, para se të mbyll këtë cikël të Ligës së Kombeve ndaj Lituanisë në shtëpi. Playoffi për Ligën B është i garantuar tashmë, ndërsa kualifikimi direkt aty varet nga përballjet e nëntorit.


 
Të gjitha lajmet nga Liga e Kombeve