XHIRO
Festë në Prizren
22 February, 2014 @10:57
Stinori pranveror i Superligës së Kosovës në basketboll vazhdon sonte me derbin e madh ndërmjet Bashkimit dhe Pejës. Ndeshja që zhvillohet në mbrëmjen e kësaj dite të ngrohtë dimri pritet t’i ngjallë të gjithë adhuruesit e basketbollit si dhe tifozëritë.
Prizrenasit nuk kanë pasur njërin ndër stinorët më të mirë vjeshtor, por me bilanc të barabartë, 7 fitore e 7 humbje, kanë arritur të vazhdojnë luftën për vend të tretë - që duket të jetë synimi i tyre që duhet të arrihet në fund të stinorit.
Dallimi
Në anën tjetër, Peja vjen si kampione aktuale në Prizren dhe me bagazh prej dy fitoreve në dy ndeshje të vjeshtës ndaj prizrenasve dhe atë me një dallim të madh në ekipe.
Por, kësaj radhe derisa te verdhezinjtë kanë mbetur basketbollistët e njejtë, veç Mario Edwardsit që erdhi kah fundi i vjeshtës, te Bashkimi është një muhabet krejt tjetër.
Të huajt e ndërruar
Ekipi i Edin Kërveshit ka ndërruar katërshen e huaj, hiç këtu Darrell Lampley që ka ardhur sikurse Edwardsi në Pejë - kah fundi i stinorit vjeshtor. Rickey Young, Aaron Mitchell dhe Zeljko Jovanovic pritet të shohin sonte veten se ku janë karshi yjeve të Boban Savovicit, ky i fundit debuton sonte në Superligë.
Përballë bashkëlojtarëve
Gjithashtu, do të jetë tepër interesant të shihet edhe ish basketbollisti i Pejës, Endrit Hysenagolli - i cili gjatë vjeshtës djersiti fanellën e verdhë. Tashmë, ai mbron ngjyrat e Bashkimit të Prizrenit dhe do të duhet ta mbrojë koshin e prizrenasve nga deri dje bashkëlojtarët e tij.
Favorit i kësaj ndeshjeje është Peja. Mirëpo prizrenasit shpresojnë në euforinë e fillimit të mirë pranveror, ndërrimin e trajnerit të pejanëve dhe lodhjen e tyre nga ndeshjet e Balkan League - për t’i befasuar.
SUPERLIGA, Sonte:
19:00 Sezai Surroi - Prizren | Bashkimi-Peja | Gjyqtarë: Faton Kurshumlija, Daut Mehmeti dhe Artan Gashi; | Përballjet e këtij stinori: Bashkimi-Peja (0-2) |