DARDAN BERISHA
Festë, pushim, Superliga synimi i radhës
21 April, 2016 @22:16
Dardan Berisha në një bisedë me faqen zyrtare të FBK-së sot ka thënë se gëzimi i madh i triumfit të Sigal Prishtinës në ligën ballkanike ka qenë për faktin se mbrojtja e titullit është gjithmonë më e vështirë sesa triumfi për herë të parë.
Ai është ndarë jashtëzakonisht i kënaqur me performancën e bashkëlojtarëve dhe punën e stafit të ekipit pas triumfit të dytë me radhë në BIBL.
“Të gjithë e dimë se mbrojtja e titullit është më e vështirë sesa kur tenton ta fitosh atë për herë të parë. Për këtë arsye jam shumë i lumtur që realizuam këtë synim,” ka thënë MVP i stinorit të kaluar në BIBL.
Më tej, Berisha ka thënë se pas festës për këtë trofe, disa ditë pushimi, ekipi i tij tash ka mision Superligën.
“Kemi sakrifikuar e gjithë skuadra, kemi punu fortë dhe bashkërisht i kemi tejkaluar vështirësitë. Kjo u pa qartë këtë vit kur kemi rreshtuar fitoret, pastaj fituam Kupën e Kosovës, mbrojtëm titullin në BIBL dhe të njejtën e synojmë edhe në Superligë tash,” ka shtuar ai.