KOSOVA - ISLANDA

Foto: TOPSPORTI
Fitore në Prishtinë, shkojmë në Spanjë me epërsi
20 March, 2025 @22:38
Fitore 2-1 për Kosovën në ndeshjen e parë ndaj Islandës, ndeshje e vlefshme për Play Off B/C të Ligës së Kombeve. Fitorja e shënuar sonte bën që Kosova ndeshjen kthyese pas tri ditëve në Spanjë ta fillojë me epërsi minimale.
Në një atmosferë tejet të mirë në “Fadil Vokrri”, ndeshja filloi me Kosovën më kërkuese dhe goli erdhi pa u mbyllur 20 minuta lojë. Anëtari i CSKA Sofiës, Lumbardh Dellova, shënoi bukur me të djathtën për 1-0 (19’).
Por, festa nuk zgjati shumë. Islandezët barazuan pothuajse menjëherë. Ishte 20-vjeçari Orri Oskarsson që si të ishte sulmues me shumë përvojë e kaloi edhe Aro Muricin dhe barazoi për 1-1 (22’), në një moment ku mbrojtja e Kosovës ra nga loja plotësisht.
Në vazhdim të pjesës së parë më gola nuk pati dhe kjo pjesë u mbyll 1-1. Rastin tjetër më të mirë të Kosovës për shënim në pjesën e parë e pati Vedat Muriqi, gjuajtja e të cilit me kokë (42’) u prit nga portieri nordik.
Me të filluar pjesa e dytë, Kosova pati dy ndryshime në formacion. Vesel Demaku, debutues, e Emir Sahiti u inkuadruan në vend të Valon Berishës, respektivisht Donat Rudhanit. Të dyja këtë zëvendësime patën ndikim pozitiv gjatë pjesës së dytë.
Si e para, edhe pjesa e dytë filloi me Kosovën dominuese dhe më kërkuese. Dhe njëjtë si në pjesën e parë, goli nuk vonoi shumë. Pas një topi të fituar në mesfushë, me ndihmën e shtyllës Elvis Rexhbeçaj me të majtën e gjeti golin e tij të parë personal me fanellën e Kosovës dhe kështu Kosova mori përsëri epërsinë (58’).
Në vazhdim të ndeshjes, dy raste tejet të mira për ta thelluar epërsinë i shpërdoroi Milot Rashica, ndërkohë në cepin tjetër Aro Muric bëri disa pritje për t’u përmendur, duke ia mohuar islandezëve barazimin. Për portierin rozhajas, kjo ishte prej paraqitjeve më të mira me fanellën e Kosovës.
Krejt në fund, Kosova 2, Islanda 1, dhe epërsi për Kosovën para ndeshjes kthyese.
Vlen të përmendet që te Islanda sonte debutoi kryetrajneri Arnar Gunnlaugsson, i cili u emërua në këtë pozitë te kjo përfaqësuese në janar të këtij viti.
Mes tjerash, për shkak të kartonit të verdhë që e mori sonte, Valon Berisha do t’i mungojë Kosovës në ndeshjen e kthimit.
Ndeshja kthyese luhet ditën e diel (23 mars) në Murcia të Spanjës. Skuadra më e mirë pas dy përballjeve në sezonin e ardhshëm të Ligës së Kombeve do të garojë në Ligën B, e ajo humbëse në C. Njëkohësisht, ngjitja një ligë më lartë në Ligë të Kombeve nënkupton radhitje më të lartë në vazot për shortet e grupeve kualifikuese drejt kampionatit të ardhshëm evropian.