VEDAT MURIQI

Vedat Muriqi në konferencën e sotme për shtyp/ Foto: FFK
Gabimet na ndëshkuan, tash luajmë për fitore
11 October, 2021 @23:20
Sulmuesi më i mirë i kombëtares së Kosovës, Vedat Muriqi, në konferencë për media sot ka thënë se ekipi do të dalë për fitore në përballjen e së martës ndaj Gjeorgjisë.
Prizrenasi Muriqi ka bërë të ditur se ndaj Suedisë janë ndëshkuar me gabimet e bëra të ekipit, ndërsa me Gjeorgjinë do të jetë një duel tjetër, ku ka cekur respektin ndaj kundërshtarit, por gjithsesi ekipi futet në lojë për fitore.
TABELA AKTUALE dhe ORARI I NDESHJEVE
“Ndaj Gjeorgjisë dalim për fitore, por normalisht se nuk e nënçmojmë aspak kundërshtarin dhe për të arritur këtëduhet të japim më të mirën. Pres të kemi paraqitje më të mirë se sa ndaj Suedisë, ku u ndëshkuam nga gabime tona. Duhet ta kemi parasysh se Kosova është një kombëtare e re, por që është rritur ndjeshëm në vitet e fundit. Atmosfera është shumë e mirë brenda ekipit dhe nuk është koha të merremi me kritika. Ne njihemi me njëri-tjetrin dhe vazhdimisht jemi të bashkuar. Duhet të qëndrojmë pozitivë“, ka thënë Muriqi.
Kosova ka shënuar vetëm një fitore në Grupin B kualifikues për Botërorin e Katarit 2022 dhe atë ndaj Gjeorgjisë si mysafir. Të martën më 12 tetor Dardanët dalin në fushë për të kërkuar trepikëshin e radhës në grup.