EKSKLUZIVE
Gjysmëfinalet, synimet e Bashkimit
14 February, 2014 @15:26
Skuadra e Bashkimit, që stinorin e kaluar e përfundoi në vendin e tretë dhe arriti në gjysmëfinale të Play-Offit të Superligës si dhe të Kupës, ka të njëjtat synime edhe këtë stinor.
Peja dhe Sigal Prishtina vlerësohen tepër të forta në krahasim me ekipet tjera të ligës dhe dy vendet e para janë të pakapshme për skuadrat tjera - kështu që vendi i tretë llogaritet maja që mund të arrihet nga skuadrat tjera.
I këtij mendimi është edhe prizrenasi Edin Kërveshi, i cili është duke e udhëhequr Bashkimin këtë stinor, derisa stinorin e kaluar ishte ndihmës i sllovenit Muharem Vugdalic.
-Sa është Bashkimi i gatshëm për fillim të stinorit pranveror?
Kërveshi: Bashkimi çdo vjet ka probleme në organizim për shkak se nuk ka një sponsor kryesor dhe stabil. Jemi në vonesë me përgatitje karshi skuadrave tjera, mirëpo ia kemi arritur të bëjmë një ekip solid.
“Na duhen edhe dy-tre javë për tu adaptuar.”
-Vlerësimi i juaj për përforcimet e reja?
Kërveshi: Përforcimet janë bërë sipas buxhetit. Tre basketbollistë janë inkuadruar para një jave dhe në një miqësore ndaj Vardarit në Shkup kemi treguar lojë të mirë dhe premtuese. Angazhimi i basketbollistëve ka qenë në nivel, mirëpo besoj që na duhen edhe dy-tre javë derisa të gjithë lojtarët të adaptohen me njëri-tjetrin.
-Synimet për këtë stinor?
Kërveshi: Synimi i Bashkimit ka qenë dhe mbetet futja në Play-Off, vendi i tretë ose i katërt, pasi që për dy vendet e para po shihet se kush mund të jetë aty. Ne do të mundohemi ta zëmë vendin e tretë, e nëse do të kemi fat në short të Kupës - do ta synojmë finalen e saj.
“Tifozëve i kemi borxh shumë.”
-Dy ndeshjet e para të stinorit Bashkimi i ka tejet të vështira, ndaj Pejës dhe Sigal Prishtinës? Çka prisni nga këto dy ndeshje?! Mos ndoshta largimi i Danijel Lutz nga Peja mund të ndikojë në një befasi?!
Kërveshi: Dy ndeshjet e para i kemi tejet të vështira. Mirëpo, përkundër që janë inkuadruar lojtarët me vonesë, ne do të mundohemi që të japim maksimumin para tifozëve tanë që u kemi borxh shumë, si ekipi ashtu edhe qyteti. Sa i përket ndryshimit te Peja, e dini, lojtarët dëshirojnë të tregohen sa më shumë për të fituar vlerësimin e trajnerit të ri. Edhe njëherë i falenderohem shumë publikut prizrenas që na përcjellë ndeshje pas ndeshjeje, pasi që në çdo ndeshje kanë qenë pranë nesh. Duhet të kenë durim dy-tre javë për shkak se lojtarët e ardhur me vonesë do të kërkojnë adaptim për një kohë dhe me vazhdimin e garave do të bëhemi gjithmonë e më të mirë.
Pjesën e parë të stinorit Bashkimi e ka përfunduar me bilanc 7 fitore e 7 humbje duke u klasifikuar në vendin e katërt të tabelës me pikë të njëjta sikurse Trepça, që e përfundoi vjeshtën në vendin e tretë.
Bashkimi ia nisi stinorit me katërshen e huaj: Denis Vrsaljko, Dino Erceg, Josip Blajic dhe Justin Cecil, derisa stinorin e vazhdon me Rickey Young, Darrell Lampley, Aaron Mitchell dhe Zeljko Jovanovic.
Vendorët pak a shumë janë të njëjtit, shto këtyre edhe Endrit Hysenagollin e ardhur nga Peja.
Bashkimi xhiron e parë të pjesës pranverore e fillon në Sezai Surroi ndaj kampiones aktuale Pejës, që së fundi ka marrë trajnerin e ri malazias Slobodan Savovic.