PAS ARRITJES SË FINALES

Hadar: E duam titullin
23 April, 2023 @10:21
Rami Hadar ka thënë se është jashtëzakonisht i kënaqur me lojtarët e tij dhe atë që kanë treguar në ndeshjen e katërt të serisë. Trajneri izraelit i Pejës ka thënë se duke ditur cilësitë e kundërshtarit dhe trajnerit të tyre, kanë ditur se do të jetë vështirë ndaj kampionit.
“Para së gjithash mendoj se humbëm kontrollin e ndeshjes kur organizatori ynë i bëri 4 gabime personale. Ylli përndryshe ka qenë shumë i mirë, e respektoj këtë ekip dhe trajnerin Adis shumë, e dinim se do të luftonin si kampionë, ndërsa jam tepër i lumtur me atë çka kanë treguar lojtarët e mi sonte, pasi që kemi pritur një Yll tepër të fortë sonte,” ka thënë fillimisht ai.
Në ndërkohë ai u pyet edhe për Arian Qallakun që ka qenë koshashënuesi më i mirë i ekipit në ndeshjen e katërt të serisë dhe pos kësaj edhe më i frytshmi.
“Sa i përket pyetjeve për Arian Qallakun, ai është njëri ndër lojtarët me instinkt më të zhvilluar që kam trajnuar dhe jam krenar me këtë. Ai nuk është lojtar “joker” i ekipit, por pjesë shumë e rëndësishme e sistemit të lojës sime,” është përgjigjur Hadar 56-vjeç.
Kurse për atë se çka e pret Pejën në ditët në vijim dhe një mesazh të qartë e ka thënë në fund.
“Finalja? Së pari kemi FinalFourin e Ligës Ballkanike ku do të luftojmë deri në fund, ndërsa pas kësaj natyrisht që e duam edhe titullin,” ka thënë ndër të tjera trajneri izraelit i Pejës, Hadar.
Peja më 28 prill ndeshet me Beroen bullgare në Final Four të BIBL, ndërsa pret që të arrijë finalen ndaj Hapoel Beer Shevës, që luan në gjysmëfinalen tjetër ndaj Milenijumit malazez. Në anën tjetër, në finale të Superligës ku Peja u kthye pas një sezoni mungesë, pret fituesin e gjysmëfinales Prishtina - Trepça.