AGRON BERISHA - PAS NDESHJES
Sinjale pozitive te Ylli
18 January, 2016 @14:08
Trajneri i Yllit, Agron Berisha, përkundër humbjes ndaj Bashkimit mbrëmë në Suharekë, ka mbetur i kënaqur me lojën e ekipit të tij dhe ka thënë se ekipi po jep sinjale për vazhdim të kampionatit.
“Ka qenë një ndeshje e fortë. Tipike ashtu si i bëjnë dy rival lokal. Ne kemi pasur mungesa në ekip, por mendoj se kemi qenë afër gjatë gjithë kohës dhe na është dashur shumë pak për ta fituar takimin,” ka thënë trajneri suharekas i ekipit të Yllit për Borozani.com sot.
“Prapë-se-prapë, kjo ka qenë ndeshja e parë e gjysmëstinorit të dytë dhe kemi hapësira për përmirësim. Na pret një kampionat shumë interesant, ndërsa Golden Eagle Ylli i ka dhënë një sinjal të qartë kundërshtarëve për rrjedhën e kampionatit,” ka shtuar ai.
“Palestra “13 qershori” do të jetë arenë e nxehtë dhe e pakalueshme për shumëkë këtë stinor,” ka përfunduar Berisha prononcimin e tij për Borozani.com.
Ylli aktualisht ka bilanc 5 fitore e 8 humbje në Superligë. Ekipi për pjesën e dytë të stinorit ka rikthyer amerikanin Charles Hammork, ndërsa në vijim pritet të kërkojë mundësinë për të kaluar në Play-Off, gjë të cilën e kishte arritur edhe në stinorin e kaluar, pasi që kishte arritur pozitën e katërt në klasifikim, në fund të stinorit.