Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

MBRETËROJNË EUROLIGËN #UNDECIMA

Kamp11on Real Madridi, Llull në sekondat e fundit sjell titullin

Kamp11on Real Madridi, Llull në sekondat e fundit sjell titullin


21 May, 2023 @23:51

MVP i sezonit të rregullt të Euroligës, Sasha Vezenkov dhe Isaiah Canaan shënonin pikët që afronin Olympiacosin te titulli i kampionit të Evropës në finale ndaj Real Madridit kur kishin mbetur edhe 2.11 minuta për të mbaruar ndeshja. Rezultati ishte 78-72 në të mirë të ekipit grek, që kishte kaluar Monacon në gjysmëfinale të Final Fourit që u zhvillua në Kaunas të Lituanisë këtë vit, ndërsa ekipi po shkonte drejt trofeut.

Sergio Llull

Por, kështu nuk menduan “ujqit e vjetër” të Real Madridit. Me pikët e Walter Tavares dhe Sergio Rodriguezit ata ngushtuan epërsinë, ndërsa kur rezultati figuronte 78-74 në të mirë të grekëve me 1.41 deri në fund të ndeshjes, Kostas Sloukas që i kishte sjellë atë fitore të madhe Olympiacosit ndaj Fenerbahçes në çerekfinale të playoffit, nuk shënoi treshen e provuar. Dueli hyri në minutën e fundit pa pikë të shënuara, ndërsa Sergio Rodriguez (36 vj.) shënoi treshe për 78-77 pasi që më parë Vezenkov s’kishte shënuar një të tillë. Reali i Chus Mateos u afrua në një pikë, ndërsa deri në fund të finales së madhe kishin mbetur edhe 46 sekonda.

Sergio Llull

Ekipi grek luajti mirë, shfrytëzoi maksimalisht kohën për të shutuar Moustapha Fall për tre pikë. Nuk shënoi dhe mbetën 21 sekonda, ndërsa një time-out 12 sekonda para fundit të ndeshjes kur Thomas Walkup kishte bërë faul, bëri që me një sulm të mençur, Sergio Llull (35 vj.) të shënonte pikët e fitores 78-79 për madrilenët, për t’i lënë 3 sekonda lojë Olympiacosit. Ata nuk shënuan dhe me topin e fituar nga Real Madridi festa filloi.

Real Madrid sonte fitoi trofeun e 11 të Euroleague në basketboll, gara e nivelit më të lartë të basketbollit evropian, për t’i ikur ekipeve tjera edhe më shumë në listën e skuadrave me më së shumti triumfe në këtë garë. Walter Tavares me 13 pikë, 10 kërcime e 2 asistime u bë MVP i Final Fourit, ndërsa Llull për karakteristikë, ndeshjen e mbylli me vetëm ato dy pikë të shënuara, të fitores.

Walter Tavares

Sergio Rodriguez dha 15 pikë, 9 asistime e 4 kërcime në fitore, ndërsa me 12 pikë luajti Mario Hezonja.

Olympiacosi me dyshen Vezenkov dhe Canaan shkëlqeu, por s’mjaftuan për titull. Vezenkov dha 29 pikë, 9 kërcime e 4 asistime, kurse Canaan që luajti me 21 pikë bëri edhe 2 asistime e 2 kërcime, për ekipin e Georgios Bartzokasit - që në fund u nda i zhgënjyer nga parketi.

Sikurse që ndodhte në vitet e kaluara në ekipin futbollistik, të njëjtën madrilenët ia përgatitën grekëve edhe në basketboll, derisa garda e vjetër e skuadrës doli në pah në momentet më të nevojshme për ta çuar trofeun në kryeqytetin spanjoll, që tashmë ka arritur te titulli i parë që prej sezonit 2017/18, pas finales së humbur në stinorin e kaluar nga Anadolu Efes.

Vendi i tretë i takoi Monacos, që fitoi Barcelonën në duel për medaljen e bronztë 78-66. Para Final Fourit, Barcelona shihej si ekipi më i kompletuar për pjesën finale të garës dhe skuadra do të mundte të kërkonte titullin. Por, në Euroleague - gjërat përsëri nuk shkuan sipas parashikimeve, për të treguar edhe njëherë fuqinë e garës dhe të momentit në pikat kyqe të ndeshjeve.


 
Të gjitha lajmet nga