PRISHTINA
Kampionia godet me përforcimin e radhës
12 August, 2015 @10:33
Nuk ka të ndalur kjo Prishtinë. Vetëm disa minuta më parë ekipi bardhekaltër ka bërë të ditur për përforcimin e radhës në skuadër.
Fjala është për amerikanin Mohammed Abukar që së fundi ka luajtur në Japoni për ekipin Shinshu.
Abukar ka pasur mesatare prej 17.5 pikëve në 45 ndeshje të zhvilluara, derisa ka regjistruar 2.6 asistime dhe 3.8 kërcime në po aq ndeshje.
Abukar, tre stinorë më parë ka qenë MVP i Superligës zvicerane në basketboll, derisa ka luajtur për Lugano Tigers.
Basketbollisti në fjalë luan në pozitën e alos, derisa është 30 vjeçar dhe 208 centimetra i gjatë.
Ky është përforcimi i shtatë i Sigal Prishtinës këtë stinor pas: Gjeorgji Cekovski, Gëzim Morina, Yll Kaçaniku, Stanimir Marinov, Khalid El Amin dhe LaceDarius Dunn.