FITORE E RËNDËSISHME

KB Istogu ruan kreun me fitore
10 January, 2023 @23:41
Skuadra e Istogut ka arritur të shënojë edhe fitoren e radhës, pas asaj në derbi ndaj Vushtrrisë, duke e fituar në xhiron e mesjavës në Ligë të Parë MH Prishtinën.
Ekipi i drejtuar nga Fikret Shatri ka shënuar fitore me 20 pikë dallim ndaj ekipit prishtinas në sallën e ISP-së në Prishtinë, për të fituar ndeshjen me rezultat 81-101 [19-17, 20-29, 23-21, 19-34] në një ndeshje ku dallimi kryesor u bë në çerek të fundit.
Arian Azemi ka shkëlqyer në këtë ndeshje për Istogun, duke bërë double-double prej 22 pikëve dhe 13 asitimeve, ndërsa me 17 pikë e 9 kërcime ndeshjen e kreu Orges Shatri.
Te MH Prishtina e drejtuar nga Dritëro Sefaja, Eris Zeneli dhe Lum Zeqiri shënuan mbi gjysmën e pikëve të skuadrës, por mundi i tyre nuk mjaftoi për të befasuar liderin e Ligës së Parë. Zeneli dha 28 pikë, ndërsa Zeqiri shënoi 24 sosh në ndeshje.
Me këtë fitore KB Istogu bën bilancin 15-4 pas 19 ndeshjeve të zhvilluara, ndërsa MH Prishtina ka bilanc 5-14, derisa po lufton për mbijetesë këtë stinor në Ligë të Parë.