PRISHTINA - PENZA

Fotot: KBFPrishtina/fb
KBF Prishtina me perfeksion kryen stinorin e rregullt
27 March, 2022 @16:17
Ndoshta këtë stinor nuk do të duhej as të mbahej PlayOffi për një bilanc të tillë të treguar nga KBF Prishtina në elitën e basketbollit femror të Kosovës.
Vajzat e drejtuara nga Fidan Shatri nuk kanë dështuar asnjëherë këtë stinor dhe mbrëmë edhe në derbi ndaj Penzës kanë shënuar fitore, për të kryer stinorin e rregullt me perfeksion, ku në njëzetë ndeshje kanë shënuar po aq fitore, për bilanc të ëndërrrave, 20-0!
Sa i përket lojës, KBF Prishtina ka krijuar epërsi të mjaftueshme në pjesë të parë, për të mos e dorëzuar lojën, përkundër këndelljes së ekipit pejan në pjesë të dytë.
Pas pjesës së parë me 11 pikë dallim, rikthimi i Penzës u bë i pamundur në pjesë të dytë, pasi që ndeshja shkoi kryesisht barabartë, për të përfunduar me 85-79 [23-20, 28-20, 17-16, 17-23].
TABELA PËRFUNDIMTARE E SEZONIT TË RREGULLT
Tynice Martin ka qenë koshashënuesja më e mirë e ndeshjes, duke shënuar 24 pikë për Prishtinën, ndërsa amerikania ka pasur edhe bilanc të mirë të asistimeve, 5, dhe të kërcimeve 8 në fitoren e ndeshjes së fundit të stinorit të rregullt.
Pos saj, është dalluar edhe Stasha Carey me double-double prej 18 pikësh e 14 kërcimeve, ndërsa 21 pikë e 9 kërcime ka realizuar edhe Agnesa Rrahmani për të treguar fuqinë e skuadrës, që përgjithësisht ka luajtur me 6 lojtare këtë ndeshje.
Te Penza e drejtuar nga malaziasi Milan Rondovic 22 pikët e Narlyn Mosqueras dhe 19 të tjera të Hillary Kaelas nuk kanë mjaftuar. Kapitenia Valbona Bytyqi u ndalë në 12 pikë, 9 kërcime e 6 asistime, për të mbyllur stinorin në vend të dytë, me bilanc 15-5 për pejanet.