LËNDOHET
Kosova mbetet edhe pa Jaren Sinën
14 July, 2017 @20:46
Fundori i përfaqësueses së Kosovës, Jaren Sina, nuk do të mund t’i ndihmojë Kosovës në përballjet miqësore që të kaltërit do t’i zhvillojnë në Austri dhe Sllovaki.
Sina është lënduar në ditën e fundit të stërvitjeve të përfaqësueses në Gjakovë dhe ai nuk do të jetë pjesë e ekipit në miqësoret e radhës për Kosovën.
FBK shpreson që Sina të këndellet sa më shpejt të jetë e mundur ashtu që të mund të luajë në përballjet para-kualifikuese ndaj IRJ Maqedonisë dhe Estonisë, që janë përcaktuar të luhen gjatë muajit të ardhshëm.
Tashmë tre lojtarë mungojnë në përfaqësuese të Kosovës pas 17 ftesave të para të bëra nga selektori Brad Greenberg.
Së pari kapiteni Edmond Azemi u largua për arsye private, pastaj u lëndua qendra Gazmend Sinani e tashmë do të mungojë edhe Jaren Sina.
Përndryshe, kreu i FBK-së, Erolld Belegu, ka bërë të ditur për KTV-në se lojtari është kthyer në SHBA për tu rikuperuar sa më shpejt të jetë e mundur, derisa ekipi shpreson që ai të jetë gati për ndeshjet kualifikuese.