ZËVENDËSIMI I KOLJEVICIT

Leondre Washington, lojtar i ri i KB Prizrenit
12 December, 2022 @14:12
Pas largimit të Ivan Koljevicit nga ekipi, KB Prizreni ka zyrtarizuar sot një playmaker tjetër në ekip, që vjen nga SHBA-të.
Leondre Washington për herë të parë në karrierë do të provojë basketbollin tejoqeanik për te, ndërsa ka qenë lojtar i Louisiana State University Shreveport (LSUS) deri tash.
Sipas statistikave që mund të gjenden në faqet kredibile basketbollistike, Washington gjatë sezonit të kaluar ka qenë pjesë e ligës NAIA, ndërsa në 28 ndeshje ka pasur mestarisht mbi 30-minuta lojë.
Në këto duele basketbollisti 24-vjeçar ka pasur mesatare prej 11 pikëve për ndeshje me ekipin e tij LSUS në sezonin e kaluar, ndërsa ka bërë 3 asistime për ndeshje dhe 3.7 kërcime.
KB Ponte Prizreni aktualisht në Superligë ka bilanc 6-6, ndërsa së fundi është eliminuar në çerekfinale të Superkupës së Kosovës duke mos arritur ta mbrojë trofeun që e kishte fituar në stinorin e kaluar.
Skuadra ka bërë të ditur se ai do të arrijë në ekip të martën, ndërsa do të jetë i gatshëm për tu paraqitur në përballje ndaj Prishtinës, ndeshje të cilën bardhezinjtë e Prizrenit e luajnë të shtunën në kuadër të xhiros XIV të Superligës.