EKSKLUZIVE: EROLLD BELEGU
Luftojmë për vendin e dytë
22 January, 2016 @14:18
Kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) Erolld Belegu ka qenë prezent sot në Munchen të Gjermanisë për të parë nga afër shortin dhe për tu njoftuar me delegacionet rivale të Kosovës në kualifikime për Eurobasket 2017.
“Natyrisht nuk është grup i lehtë ky që na ka dalë neve. Do të ndeshemi me Slloveninë, Ukrainën e Bullgarinë. Ndërsa ndeshjen e parë më 31 gusht do ta kemi ndaj Sllovenisë,” ka thënë Belegu duke folur për Borozani.com nga Muncheni.
“Grup të lehtë nuk ka pasur. Ne jemi ekipi më i dobët i renditur, pasi që për herë të parë po paraqitemi. Prandaj çdo grup do të ishte pak a shumë i këtij niveli. Ne do të mundohemi të paraqitemi në mënyrë dinjitoze dhe do të mbetemi me shpresa të shikojmë mundësinë për të dalë nga vendi i dytë, pasi që s’po guxoj tash të them ta marrim vendin e parë,” ka thënë ai.
Kosova u pranua vitin e kaluar në FIBA ndërsa për herë të parë në histori do të merr pjesë në kualifikime për Eurobasket 2017.
Kosovën, shorti e hodhi në Grupin E kualifikues ku do të ketë kundërshtarë si Sllovenia, Ukraina e Bullgaria.
Për Eurobasket 2017 që mbahet në Finlandë, Izrael, Rumani e Turqi, do të kualifikohen ekipet që zënë vendin e parë nga shtatë grupet dhe katër më të mirët nga vendet e dyta.
Në Eurobasket 2017 direkt janë kualifikuar vendet organizatore, pjesëmarrësit në Rio 2016: Spanja e Lituania, si dhe Kroacia, Çekia, Franca, Greqia, Italia, Letonia e Serbia.