SULMUESI GJILANAS ME RROGË TË RE

Mirlind Daku me rrogë të re, 3-milionë euro për stinor
1 July, 2025 @11:03
Sulmuesi i Shqipërisë, Mirlind Daku, shpejt do të zyrtarizohet nga ekipi i tij aktual Rubin Kazan në Rusi, për vazhdimin e kontratës së tij me klubin. Njoftimin e ka bërë të ditur Telegrami rus, ndërsa ish-lojtari i Ballkanit të Suharekës pritet të merr rrogë prej 3-milionë eurove për stinor, në momentin që do të nënshkruajë kontratën e re, që e lidh me Rubinin edhe për katër stinorë tjerë.
Futbollisti 27-vjeçar deri tash është paguar rreth 700-mijë euro për stinor, ndërsa pas mosarritjes së ujdisë me Zenit Shën Petersburgun, që nuk ia dha rrogën e kërkuar atij, Rubini ka pranuar për ngritje të shumëfishtë të rrogës vjetore të lojtarit.
Mirlind Daku kreu stinorin e kaluar me 15 gola në elitën e futbollit rus, ndërsa në kombinimin me gola+asistime, ai kishte më së shumti kontribut nga lojtarët tjerë ofanzivë në elitën ruse. Rroga prej 3-milionë eurove për stinor, do ta bëj Dakun si lojtar më të paguar edhe të kombëtares shqiptare, në ekipet ku luajnë ata.