FITORE E GJAKOVARËVE
Pas dy humbjesh, Vëllaznimi i kthehet fitores
15 December, 2024 @18:55
Vëllaznimi i është kthyer fitores në Superligë, pas dy humbjeve të fundit të regjistruara, duke e mposhtur sot Borën në “Shani Nushi” me 10 pikë dallim, 89-79.
Pjesa e parë ka qenë plotësisht e Vëllaznimit, të cilët shkuan në pushim me rezultat 45-30, ndërsa në pjesë të dytë ekipi ka menaxhuar atë, për të fituar ndeshjen me 10 pikë dallim.
Me 17 pikë të shënuara, Jericole Hellems ka qenë më efikasi te Vëllaznimi sonte, ndërsa 16 pikë ka dhënë Trey Anderson, që bëri edhe 6 kërcime. Me nga 14 pikë ndeshjen e përfunduan Jason Jitoboh, që bëri edhe 5 kërcime si dhe Michael Nuga që shtoi në llogari të tij edhe 5 asistime e 5 kërcime.
Bora, që në xhiron e kaluar befasoi Bashkimin, kësaj radhe nuk ka arritur të bëj më shumë, përkundër se në çerek të fundit uli epërsinë e vendasve. Me nga 14 pikë të shënuara, koshashënues më të mirë te Bora sonte kanë qenë Alex Lomax që bëri edhe 5 asistime e 6 kërcime dhe Adem Mekic që shtoi 4 asistime e 4 kërcime aty. Jetmir Zeqiri përndryshe ishte i vetmi që kreu lojën me double-double me 13 pikë e 13 kërcime!
Fitorja bën që Vëllaznimi të mbyllë xhiron e XII në pozitë të tetë me bilanc 5-7, kurse Bora e fundit në renditje dhe me një ndeshje më pak të luajtur është me bilanc 2-9.