PEJA I KTHEHET FITORES
Peja i kthehet fitores, duke iu revanshuar Prishtinës
14 December, 2024 @19:33
Gjashtë lojtarë me pikë dyshifrore në fund të ndeshjes dhe fitore bindëse e Pejës ndaj Prishtinës, ku verdhezinjtë iu revanshuan bardhekaltërve për fitoren e tyre në ndeshjen e ciklit të parë të stinorit.
Peja mposhti Prishtinën 86-71, duke shtuar epërsinë gradualisht në çdo çerek të ndeshjes, për të pritur atë të fundit në mënyrë komode dhe për të fituar duelin me 15 pikë dallim.
Shpërndarja e pikëve ka qenë jashtëzakonisht e frytshme te Peja, derisa 5 lojtarë shënuan nga 11 pikë, ndërsa një i dha 10 pikë për t’i bërë ballë Rashad Williamsit të Prishtinës, që ka qenë i vetmi me pikë dyshifrore te Prishtina dhe më i miri i ndeshjes me 36 pikë të shënuara!
Jonathan Galloway kreu ndeshjen me 11 pikë e 18 kërcime te Peja, duke shtuar edhe 2 bllokada në proces. Tristan Ikpe luajti me 11 pikë e 9 kërcime, kurse Dardan Berisha pos 11 pikëve bëri edhe 2 asistime e 5 kërcime.
Te Prishtina, askush s’arriti të tregojë efikasitet si Williams, ndërsa pos tij më me ndikim në ndeshje ishte Daniel Lekndreaj me 7 pikë, 5 asistime e 9 kërcime.
Fitorja bën që Peja, e cila pas ndarjes me Daniel Nelsonin u drejtua sot nga ndihmësi Diego Velasco, të neutralizojë bilancin në 6-6 pas 12 ndeshjeve të para të stinorit dhe për momentin të dalë në pozitë të tretë të tabelës, ndërsa Prishtina që ka një ndeshje më pak të luajtur, aktualisht ka bilanc 6-5 dhe është e katërta në renditje për momentin.
Përndryshe, një statistikë interesante është fakti që Peja qe dy herë që po drejtohet nga Velasco pas largimit të trajnerëve të parë të ekipit, po shënon dy herë fitore!