PEJA - PRISHTINA

Peja fiton derbin! Shkon në 8-0
30 October, 2022 @18:44
Peja ka triumfuar në derbin e vjetër të basketbollit të Kosovës në ndeshje ndaj Prishtinës sonte, në Karagaçin e stërmbushur, derisa ka shënuar fitore të ngushtë 79-77.
Ndeshja ka qenë jashtëzakonisht interesante, ndërsa pejanët në fund kanë treguar forcën për të shkuar në fitore dhe për të mbetur të pamposhtur në Superligë, për të bërë bilancin 8-0 pas tetë xhirosh.
Në fakt, ndeshja në fund mund t’i takonte Prishtinës, por tentimi i Rinor Memedit në sekondën e fundit nuk gjeti koshin! I njëjti kishte shënuar 6 sekonda para fundit të ndeshjes një treshe që bëri rezultatin 79-77, ndërsa që në sulmin tjetër tentoi përsëri, por kësaj radhe për fat të verdhezinjëve nuk qëlloi!
Pas rezultatit 77-68 në të mirë të Pejës, kur kishin mbetur edhe 2 minuta e 56 sekonda lojë, lideri i pamposhtur i Superligës shënoi vetëm edhe dy pikë deri në fund të ndeshjes dhe atë dy herë shënoi nga një tentim prej dy, Brad Waldow nga gjuajtjet e lira.
Ndërsa Prishtina në këto minuta u afrua plotësisht 78-77 për të tentuar edhe fitoren në fund, që s’e arriti, derisa Shqiponjat mbetën të pamposhtura për të bërë bilancin 8-0 pas 8 xhirosh.
Brad Waldow ka qenë më i dalluari në fitoren e Pejës. Ai kreu lojën me double-double prej 12 pikëve dhe 12 kërcimeve, ndërsa bëri edhe 3 asistime në fitore, duke mos harruar pikët e vetme në 3 minutat e fundit të lojës, të shënuara nga ai, nga gjuajtjet e lira!
Më së shumti pikë shënoi Rodney Purvis, duke bërë edhe 4 asistime. Purvis kreu lojën me 20 pikë, ndërsa shutoi 6/10 për tri pikë.
Te Prishtina nuk mjaftoi Dustin Thomas që kreu ndeshjen si koshashënues më i mirë i lojës me 21 pikë, ndërsa bëri edhe double-double me 11 kërcime në llogari të tij. Derrick Wilson dha 14 pikë, ndërsa Dardan Berisha shënoi 13 pikë ndaj ish-ekipit të tij, duke shutuar 1/6 për tri pikë sonte, por bëri 9 asistime gjithashtu.
Fitorja bën Pejën lider të pakontetueshëm edhe për disa xhiro tjera me bilanc 8-0, ndërsa Prishtina ka pësuar për herë të tretë këtë stinor, dy prej të cilave i ka nga Peja, për bilancin 5-3.