Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

SHQIPËRIA PËSON NË SHTËPI

Gjeorgjia ia shkakton humbjen e parë Sylvinhos në “Air Albania”

Foto: FSHF

Gjeorgjia ia shkakton humbjen e parë Sylvinhos në “Air Albania”


10 September, 2024 @22:37

Pas më shumë se një viti që ka ardhur dhe pas kalimit thuajse perfekt në secilën ndeshje në “Air Albania” në kohë të Sylvinhos, gjeorgjianët sonte me një goditje të jashtëzakonshme kanë shënuar fitore për t’ia shkaktuar humbjen e parë kuqezinjëve në epokën e brazilianit në shtëpi.

TABELA & REZULTATET

Gjeorgjia ka shënuar fitore minimale ndaj Shqipërisë në kuadër të Grupit 1 të Ligës B të Kombeve, duke fituar ndeshjen 0-1, me golin e bukur që e shënoi Giorgi Kochorashvili (71’). Për ekipin e drejtuar nga francezi Willy Sagnol, Gjeorgjia tash bëhet me 6 pikë nga 2 ndeshje, ndërsa Shqipëria mbetet me 3!

Me asnjë goditje të saktë drejt kornizës së portës ka mbyllur Shqipëria ndeshjen, ndërsa pas një pjese të parë të kontrolluar mirë dhe me tentimet e Arbër Hoxhës nga largësia që nuk gjenin portën, ekipet shkuan në pushim me 0-0! Gjeorgjia ishte pak më e tërhequr në mbrojtje gjatë pjesës së parë.

Kristjan Asllani provoi në fillim të pjesës së dytë për Shqipërinë, por pa gjetur kornizën nga gjuajtja e lirë. E Sylvinho reagoi duke futur startuesin e vetëm që e kishte ndërruar për këtë ndeshje nga përballja me Ukrainën, Qazim Laçin. Laçi u fut në lojë, por Gjeorgjia kishte nisur veçse presionin dhe duke shfrytëzuar një mundësi për goditje drejt portës së Thomas Strakoshës, ka qenë mesfushori Kochorashvili që shënoi gol të bukur dhe të pambrojtshëm për portierin!

Në vazhdim, tekniku brazilian i kuqezinjëve futi në lojë edhe Taulant Seferin, Sebastjan Spahiun dhe Myrto Uzunin. Por pa prezultat deri në fund. Bile, ka qenë Strakosha që me dy parada të mira në kundërsulmet gjeorgjiane pas minutës së 80-të ka shpëtuar ekipin nga humbja më e thellë sonte.

Liga e Kombeve për Shqipërinë kthehet në muajin tetor, por do të ketë dy përballje si mysafirë. Udhëtohet për në Çeki më 11 tetor, për të marrë rrugë drejt Gjeorgjisë më 14 tetor.


 
Të gjitha lajmet nga Liga e Kombeve