MATCH REPORT: PRIZRENI - PEJA
Peja mbetet skuadra e vetme e pamposhtur në Superligë
4 November, 2020 @21:06
Verdhezinjtë e Pejës kanë arritur të shënojnë edhe fitoren e tretë me radhë në Superligë, nga po aq ndeshje këtë stinor dhe me këtë kanë mbetur ekipi i vetëm që ka bilans 100% në ligë.
Peja ka arritur të mposht sonte ekipin e Prizrenit në Sezai Surroi me 16 pikë dallim, 74-90 [23-30, 13-16, 28-16 dhe 10-28].
Pas pjesës së parë që kaloi në favor të Pejës me lojë të mirë të Drilon Hajrizit e Dardan Berishës, çereku i tretë nisi shumë mirë për Prizrenin.
Ata ulën epërsinë dhe përmbysën atë për tu futur në çerek të fundit të ndeshjes në epërsi 64-62!
Dhe në fillim të çerekut të katërt Ty Nichols dështon nga 2 gjuajtjet e lira, pastaj edhe Urim Zenelaj s’arrin të shënojë në sulmin e radhës.
Në anën tjetër vjen treshja e Dardan Berishës për 64-65 dhe këtu Peja merr krahë për të vazhduar furishëm deri në fund për fitore 74-90.
Amel Kuljuhovic me 21 pikë ka qenë më efikasi te Peja, ndërsa ka regjistruar edhe 7 kërcime në fitore. Dardan Berisha dha 16 pikë e 3 asistime, ndërsa Drilon Hajrizi 14 pikë, 9 asistime e 5 kërcime në fitore.
Në anën tjetër më të dalluarit te Prizreni që ra në çerekun e fundit të lojës kanë qenë Arti Hajdari e Ty Nichols. Të dy shënuan nga 19 pikë për skuadrën, ndërsa i pari shtoi edhe 7 asistime e 6 kërcime në llogari.
Urim Zenelaj luajti me 16 pikë e 9 kërcime, ndërsa Josh Martin me 8 pikë e 18 kërcime.
Fitorja ka bërë që Peja të mbetet ekipi i vetëm në Superligë pa humbje këtë stinor, ndërsa Prizreni ka regjistruar humbjen e dytë të stinorit dhe për karakteristikë, të dyja si vendase dhe fitoren e vetme e ka arritur si mysafir.