U21
Përfaqësuesja U21 e gatshme për debutim
Teksti: FFK
24 March, 2017 @16:04
Përfaqësuesja e Kosovës U21 ka mbajtur sot seancën e fundit stërvitore para ndeshjes së nesërme kundër Irlandës në Dublin.
Stërvitja u mbajt në “Tallaght Stadium”, aty nesër në orën 13:00 sipas kohës lokale në Dublin, Kosova U21 do të debutojë në arenën ndërkombëtare, në kuadër të kualifikimeve për Euro 2019.
Përzgjedhësi Rafet Prekazi me ndihmësit e tij, Erdogan Celina dhe Naser Prapashtica punuan rreth 1 orë me futbollistët, në mënyrë që të hyjnë sa më të përgatitur për sfidën e nesërme.
Atmosfera në përfaqësuese është shumë e mirë, kurse entuziazmi për debutim të suksesshëm tek futbollistët është i madh, ndonëse të gjithë janë të vetëdijshëm se përballë do të kenë një kundërshtar shumë të fortë sidomos në aspektin fizik.
Stërvitjen e sotme e përcollën nga afër edhe dy anëtarët e Komitetit Ezkekutiv të FFK-së, Xhelal Broja dhe Bakir Burri.
Deklaratat pas stërvitjes
Rafet Prekazi, përzgjedhës: “Tani është koha që duhet ta japim maksimumin në fushë. Dihet çfarë probleme kemi pasur në vijën e mbrojtjes , me disa lojtarë me mungesë të dokumentacioneve, por realisht jemi në një proces sikur edhe vetë shteti në ndërtim e sipër. Këto janë probleme, por duhet të ballafaqohemi me to pa marrë parasysh se kush nuk do të mund të luajë. Dje na kanë lajmëruar se dy lojtarë të mbrojtjes nuk kanë të drejtë të luajnë për shkak të moskompletimit të dokumentacionit. Sidoqoftë ne do t’iu japim rastin lojtarëve që luajnë në kampionatin vendor. Kryesore është që këta djelmosha ta japin maksimumin në fushë, të tregojnë që kanë shpirt dhe që dinë të luajnë futboll. Kaq kërkojmë prej lojtarëve tonë.”
Arian Kabashi (Sion): “Shpresoj të bëjmë një rezultat të mirë kundër Irlandës. Kemi kualitet në ekip dhe të gjithë do ta japim maksimumin dhe do ta lëmë shpirtin në fushë në ndeshjen e nesërme. Kemi punuar mirë këto ditë dhe tashmë po e njohim lojën e njëri – tjetrit, që është shumë domethënëse për ne si ekip i ri.”
Ardit Nika (Prishtina): “Puna në përfaqësuese po shkon shumë mirë, ekipi është duke u komponuar. Kushtet për lojë janë shumë të mira. Jemi ekip i ri po që po komponohet shumë mirë. Besoj se me fuqi dhe zemër do të arrijmë fitore.”
Enis Alaj (Etoile Caraouge): “E kemi një grup të fortë të lojtarëve, me cilësi shumë të mira. Shpresoj të bëjmë një paraqitje sa më të mirë në ndeshjen kundër Irlandës. Kushtet janë të shkëlqyeshme dhe nuk na mbetet asgjë tjetër veçse të luajmë të bashkuar dhe të marrim atë që duam.”
Leonard Pllana (Dalkurd): “Atmosfera në ekip është shumë e mirë. Të gjithë shpresojmë që nesër do të bëjmë një paraqitje shumë të mirë. Kemi vullnet, dëshirë dhe entuziazëm dhe do të hyjmë për fitore. Stërvitjet e deritashme na kanë ndihmuar ta njohim më mirë njëri-tjetrin, andaj pres që të mos zhgënjejmë.”