VENDIMI I RI I FIBA
Pezullohet ndeshja e parë e Trepçës në FIBA Europe Cup
10 October, 2023 @0:35
Ndeshja e parë e Trepçës në kuadër të fazës grupore të FIBA Europe Cup, është shtyer për një datë të pacaktuar. Kjo pasi që Trepça në xhiron e parë të Grupit G do të duhej të udhëtonte në Izrael për tu ndeshur me ekipin Hapoel Galil Elion, ndërsa për shkak të situatës së krijuar në Izrael — janë pezulluar ndeshjet e ekipeve izraelite në gara evropiane brenda dhe jashtë.
Së fundi, FIBA Europe ka dalë me njoftim zyrtar se pezullohen të gjitha ndeshjet e ekipeve izraelite në gara evropiane, për shkaqe sigurie, ndërsa vendimi do të mbetet në fuqi deri në njoftimin e radhës.
Ri-programim i ndeshjeve për ekipet izraelite
Vendimi i FIBAs prek pesë ekipet të meshkujve dhe femrave nga Izraeli në FIBA Europe Cup dhe EuroCup Women.
Në fund, njoftimi ka bërë të ditur se në konsultim me Federatën e atjeshme do të mirret vendimi i ardhshëm, ndërsa duelet do të konfirmohen posa të lejojë situata.
“Datat dhe orari i ndeshjeve të ri-programuara në kalendar do të konfirmohen posa të na lejojë situata,” — ka mbyllur njoftimin FIBA.
Ndeshjet tjera të Trepçës
Ndeshja Hapoel Galil Elion - Trepça ishte paraparë të luhet më 18 tetor me fillim prej orës 16:30 në Jerusalem. Pos Hapoel GE-së, Trepça në grup ka kundërshtarë edhe ZZ Leiden dhe Gravelines Dunkerque.
Sipas kalendarit të ndeshjeve të Grupit C, Trepça më 25 tetor pret Leidenin holandez në “Minatori” ndërsa më 1 nëntor udhëton në maje të Francës për të luajtur me Gravelines Dunkerque.
Trepça ka fituar Grupin C kualifikues të FIBA Europe Cup, duke mposhtur kundërshtarin estonez Parnu Sadam dhe atë islandez Tindastoll, për të arritur fazën grupore të garës.
Në FIBA Europe Cup bën pjesë edhe kampionja e Kosovës, KB Peja. Ajo është në Grupin H, ndërsa ka kundërshtarë Niners Chemnitz, Heroes Den Bosch dhe Spojnia Stargard. Peja më 18 tetor është mysafire e Ninners Chemnitz.