PRISHTINA I RIKTHEHET BIBL!
KB Prishtina dëshiron të merr pjesë në BIBL 2023/24
10 October, 2023 @0:30
Rekord-kampionja e Kosovës, KB Prishtina, pas përjashtimit nga ENBL i ka dërguar kërkesë ligës ballkanike BIBL, për të marrë pjesë në garë në edicionin 2023/24.
Njoftimin për këtë e ka dhënë faqja zyrtare e BIBL ditë më parë, ndërsa ka bërë të ditur se KB Prishtina i ka dërguar kërkesë zyrtare për pjesëmarrje ligës në fjalë.
“Dy herë kampionja e BIBL, KB Prishtina ka dërguar kërkesë për t’iu bashkuar garave në edicionin 2023/24. Ekipi nga Kosova ka fituar dy herë BIBL, në vitin 2015 dhe 2016. Herën e fundit, Prishtina ka qenë pjesëmarrëse në BIBL dy stinorë më parë, kur arritën çerekfinalet. BIBL është e kënaqur t’i urojë mirë se ardhje Prishtinës,” — ka shkruar njoftimi në faqen zyrtare të kësaj lige.
Deri tash në BIBL, sipas njoftimeve, kanë aplikuar dy skuadra nga Mali i Zi: KK Lovcen dhe KK Plevlja dhe nga Qiproja AEL Limassol.
Në stinorin e kaluar në BIBL nga Kosova morrën pjesë KB Peja dhe KB Bashkimi. Derisa KB Bashkimi u përjashtua nga garat, KB Peja arriti finalen, por u mposht aty nga ekipi izraelit Hapoel Beer Sheva duke u bërë nënkampione e ligës.
BIBL përndryshe nuk ka dhënë ndonjë njoftim shtesë se sa ekipe do të marrin pjesë përfundimisht këtë stinor aty si dhe kur do t’ia nisin garat.