DEKLARATA E TRAJNERIT TË VËLLAZNIMIT
Plantak: Sulmi ishte i mirë, duhet përmirësuar mbrojtjen
19 November, 2023 @11:50
Trajneri i Vëllaznimi, Josip Plantak, ka festuar fitoren e pestë me radhë për kuqezinjtë në Superligë në formë, ku nuk po njohin kundërshtar - duke mposhtur secilin që po i del në rrugë, pas një starti kur pësuan katër herë radhazi!
“Ishim me të vërtetë të mirë në sulm, ndërsa gjetëm zgjidhje për mbrojtjen zonale të tyre. Derisa në sulm njëmend ishim të mirë, për mbrojtje nuk mund ta them këtë, pasi që vetëm në çerekun e dytë luajtëm më mirë aty,” ka thënë Plantak fillimisht, ndërsa kur u pyet nëse Vëllaznimi do të fitojë secilin në “Shani Nushi” ai shtoi.
“Nëse luajmë fortë, po mund ta fitojmë secilin, këtë ua them çdo herë lojtarëve, të luajmë mençur në sulm, por prapëseprapë, duhet të jemi më të mirë në mbrojtje. Ka punë për tu bërë...,” ka thënë ndër të tjera ai.
Vëllaznimi mbrëmë mposhti Bashkimin bindshëm, me rezultat 102-80 ndërsa ekipi falë dyshes Samuel Sessoms dhe Jalen Ray është duke shkëlqyer dhe tashmë ka bilanc 5-4.