VËLLAZNIMI - BASHKIMI
Vëllaznimi i pandalshëm, fitorja e pestë me radhë!
18 November, 2023 @18:50
Fitorja e pestë me radhë për Vëllaznimin në Superligë!
Gjakovarët e drejtuar nga kroati Josip Plantak edhe sonte treguan paraqitje mjaft të mirë dhe me meritë e mposhtën Bashkimin në Gjakovë. Takimi në fjalë përfundoi me rezultat 102-80.
Në anën tjetër, për Bashkimin kjo ishte humbja e pestë me radhë në ligë!
Ndeshja filloi për mrekulli për Vëllaznimin. Falë plot 9 tresheve të shënuara në çerekun e parë, gjakovarët krijuan epërsi dyshifrore fort herët. Çereku i parë u mbyll 34-22, e përgjatë çerekut të dytë epërsia ishte rreth 20 pikëve. Në fund, pjesa e parë u mbyll me rezultat 54-35.
Epërsia e konsiderueshme e krijuar herët u menaxhua mjaft mirë deri në fund nga Vëllaznimi dhe fitorja për asnjë moment nuk ishte në dyshim. Në fund, rezultati përfundimtar i takimit ishte 102-80.
Përforcimet e huaja cilësore edhe sonte ranë në sy te gjakovarët.
Sammuel Sessoms luajti me 24 pikë, 10 asistime e 5 kërcime, Jalen Ray e mbylli ndeshjen me 24 pikë, 4 kërcime e 4 asistime, ndërsa lojtarët tjerë me pikë dyshifrore ishin Jordan Dallas (14 pikë), Ardit Pepaj (14 pikë) dhe Atik Koshi (11 pikë). Vlen të përmendet që sonte pati minuta në parket për të gjithë lojtarët e ftuar te Vëllaznimi.
Te Bashkimi më i miri sonte ishte Grant Lozoya me 25 pikë, 4 asistime e 2 kërcime. Te prizrenasit sonte debutoi letonezi Eduard Hazners, që ndeshjen e mbylli me 11 pikë e 2 kërcime.
Përforcimi më i fundit, i mirënjohuri Bradley Waldow, luajti me 2 pikë sonte, duke qenë se ishte vetëm 5 minuta në lojë.
Xhiron që vjen, Vëllaznimi i shkon Prizrenit, kurse Bashkimi e pret Istogun.