Fantasy TopSporti
Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

PRISHTINA - PEJA

Prishtina s’dorëzohet, gjysmëfinalistja përcaktohet në Karagaç

Foto: KB Peja

Prishtina s’dorëzohet, gjysmëfinalistja përcaktohet në Karagaç


20 April, 2021 @18:27

Sigal Prishtina e ka fituar ndeshjen dramatike të zhvilluar në Pallatinë e Rinisë dhe të Sporteve në Prishtinë përballë Pejës, e cila u zhvillua në kuadër të serisë çerekfinale të Play Off-it në Superligë.

Bardhekaltërit fituan me rezultat minimal 93-92.

Peja ishte në pozitë më të volitshme për të fituar në pesë minutat e fundit pasi që kishte epërsi 5 pikëshe, 72-77, por më pas shënimet e njëpasnjëshme nga vija e trepikëshit prej Ismailit, Janjevës, Johnson-it dhe Mack-ut, ia kthyen epërsinë e rezultatit bardhekaltërve 89-88.

Këtë epërsi Prishtina e arriti edhe 1 minutë e gjysmë para fundit, të cilën e ruajti deri në fund të takimit.

Peja pati rastin e artë në sulmin e fundit të kthejë rezultatin, por AJ Walton në depërtimin e tij ishte i pasaktë.

Nigel Johnson dhe Tevin Mack shkëlqyen në fitoren e Prishtinës, duke shënuar nga 26 pikë secili, ndërsa kontribut të rëndësishëm nga banka dhanë edhe Meriton Ismaili e Muhamed Janjeva, të cilët luajtën rol kyq në rikthimin e rezultatit në çerekun e fundit.

Në anën tjetër, te Peja më i miri ishte qendra Brandon Walters që luajti me 26 pikë e 14 kërcime, derisa AJ Walton iu afrua shifrave triple-double me 23 pikë, 7 kërcime e 8 asistime.

Vlenë të ceket se as në këtë ndeshje te Peja nuk luajti kapiteni i skuadrës, Dardan Berisha, i cili vazhdon të vuajë nga lëndimi që pësoi gjatë garave në Ligën Unike.

SKEMA E PLAY OFF-IT

Tani seria çerekfinale është barazuar në 1-1 dhe ndeshja e tretë e serisë që do të luhet në Karagaç të Pejës, do ta përcaktojë gjysmëfinalisten nga kjo përballje.

Kujtojmë se fituesja e këtij dueli në gjysmëfinale do të luajë me liderin e Superligës, Ponte Prizrenin.


 
Të gjitha lajmet nga FBK Superliga