NË KRYEQYTET
Prishtina zyrtarizon ish-trajnerin e Cibonës
28 June, 2021 @14:58
Rekord kampionja e Kosovës në basketboll, KB Prishtina, ka bërë të ditur edhe zyrtarisht trajnerin e ri të skuadrës, që do të përkujdeset për të rikthyer titullin në kryeqytet në stinorin tjetër.
Ante Nazor 42 vjeçar ka pasur karrierë të bujshme të trajnerit përkundër moshës, pasi që ka drejtuar disa skuadra të rajonit por edhe ka qenë trajner i reprezentacionit kroat U-16, U-18 dhe U-19, ku ka fituar FIBA medalje të artë me U-16, ndërsa të argjendtë me të tjerat.
Zara, Cibona, Split, MZT dhe ZTE janë skuadrat te të cilat ka punuar ai, ndërsa përvoja nga ABA League pritet të jetë klas shtesë për teknikun kroat.
Derisa ka punuar në reprezentacion në fillim të karrierës së tij si trajner, ai ka qenë asistent i trajnerit të dikurshëm të Bashkimit, Vlado Vanjak.