VLLAZNIA - PRIZRENI'16
Prizreni’16 pa telashe, me mbi 30 pikë fiton ndaj Vllaznisë
3 March, 2022 @21:21
Prizreni’16 ka shënuar fitore të pritur në përballjen ndaj Vllaznisë sonte, në kuadër të xhiros XI të Ligës Unike në basketboll, për tu ngritur në renditje tabelare të kësaj lige.
Bardhezinjtë kanë shënuar fitore me rezultat 62-94 [9-26, 19-13, 17-30, 17-25] për të dalë në pozitë të tretë të renditjes, me një ndeshje më shumë se Teuta e Durrësit.
Vetëm në çerekun e dytë të lojës Vllaznia ka qenë pak më kërkuese kur arriti të ngushtojë pak epërsinë e prizrenasve, përndryshe në secilin çerek tjetër Prizreni’16 i drejtuar nga Arbnor Rifati nuk ka pasur problem.
Darrell Davies, transferi i ri i skuadrës ka qenë më efikasi për Prizreni’16 duke shënuar 22 pikë në përballje, derisa ka bërë edhe 4 asistime e 9 kërcime në fitore.
Xavier Cannefax gjithashtu duket se po hynë në formë. Ai kreu lojën me 15 pikë e 5 asistime, kurse Rifati i ka dhënë mundësi si asnjëherë më parë të gjithë basketbollistëve në dispozicion minuta, ku lojtarët me më së paku minuta shënuan 6 dhe 5 pikë, Besmir Memaj, përkatësisht Endrit Qovanaj.
Te shkodranët i vetmi që shënoi pikë dyshifrore ka qenë Charleston Dobbs, 17. Ai kreu lojën me double-double, duke regjistruar edhe 11 kërcime.
Fitorja çon Prizrenin në pozitë të tretë me bilanc 7-4, ndërsa Vllaznia e fundosur tash bëhet me bilanc 2-9.
LIGA UNIKE, MESHKUJT - TABELA AKTUALE:
1 | Peja | 8-3 | ||
2 | Ylli | 9-1 | ||
3 | Prizreni'16 | 7-4 | ||
4 | Teuta | 6-4 | ||
5 | Tirana | 5-6 | ||
6 | Rahoveci | 4-7 | ||
7 | Kamza | 2-9 | ||
8 | Vllaznia | 2-9 |