QENDËR E RE NË "SHANI NUSHI"

Fotot: GTK Gliwice
Qendra me përvojë, Damonte Dodd - anëtar i ri i Vëllaznimit
12 August, 2022 @11:38
Skuadra që iu rikthye Superligës, KB Vëllaznimi, vazhdon të tregohet aktive në afatin kalimtar të basketbollistëve, ndërsa mbrëmë ka zyrtarizuar edhe qendrën e re të ekipit, që do të jetë pjesë e kuqezinjëve për edicionin 2022/23.
Damonte Dodd (28-vjeçar) dhe 211-centimetra i gjatë, pas karrierës në NCAA me Maryland Terrapins, në katër vitet e fundit është pjesë e basketbollit evropian, ndërsa ka luajtur në elitat çeke dhe polake.
Së fundi, në stinorin e kaluar ai ka qenë pjesë e GTK Gliwice ku ka luajtur 18 ndeshje, ndërsa si mesatare ka pasur 3.3 pikë për lojë, 3.8 kërcime dhe 0.8 asistime.
“Qendra amerikane, e gjatë 211cm, pritet të jetë njëri prej lojtarëve kyq në ekip. Dodd ka qenë pjesë e disa skuadrave nga Polonia dhe Çekia. Poashtu ishte pjesë e skuadrave Suns e Celtics në NBA G-League. Mirë se vjen Damonte.” — ka shkruar njoftimi i Vëllaznimit.
Përndryshe Vëllaznimi ka rikthyer trajnerin Franko Sterle në ekip për këtë edicion, ndërsa ai do të ndihmohet nga asisteni gjithashtu kroat, Josip Plantak.
Pos kësaj, kuqezinjtë në Shani Nushi kanë rreshtuar lojtarë duke sjellë e vazhduar kontratat me Rron Dahsylën, Atik Koshin, Arbër Sinanin, Burim Zekiqin, Don Polloshkën, Shëndrit Llapin, kurse nga të huajt deri tash kanë zyrtarizuar Preston Knowlesin dhe Will Brownin para Doddit.