LIGA UNIKE & SUPERLIGA

Malik Yarbrough duke shutuar për tri pikë në ndeshjen Rahoveci-Bashkimi/ Foto: KBRahoveci/fb/Sh. Berisha
Rahoveci kërkon fitoren e parë ndaj Prizrenit!
1 February, 2022 @13:47
Skuadra e Rahovecit, nesër do të përballet me ekipin në formë të Prizrenit’16 ku do të kërkojë fitoren e parë sezonale ndaj bardhezinjëve në të gjitha garat.
Rahoveci nuk ka arritur ta mposhtë Prizrenin’16 në asnjërën nga ndeshjet e deritashme sezonale dhe është mposhtur në dy takimet e mëparme të zhvilluara, ku të dyja i ka luajtur si mysafir.
Tash, Rahoveci ka marrë tranjerin e tretë këtë stinor Ljupcho Malinkov dhe duket pak më i këndellur se në fillim të stinorit me Fotis Takianos dhe më pas me Illmen Bajrën.
Në xhiron e parë, Prizreni’16 i drejtuar nga Arbnor Rifati “fshiu” Rahovecin me rezultat 106-96, ndërsa në përballjen tjetër sezonale, bardhezinjtë mposhtën vreshtarët 95-89.
Ndeshja, që i takon xhiros së tetë sezonale në Superligë, regjistrohet edhe në Ligën Unike, në kuadër të së cilës edhe luhet përballja e nesërme që nis në ora 17:00 në Mizahir Isma.
Derisa te Rahoveci lojtari që më së shumti po dallohet këto ditë është amerikani Malik Yarbrough, te Prizreni’16 dyshja Courtney Fells e Ivan Koljevic veçse janë bërë tandem tepër i mirë që po shkëlqejnë në secilën ndeshje, ndërsa ekipi ka shtuar edhe përforcime tjera në ekip.
Gjithçka do të vendoset në pasditen e nesërme, 2 shkurt (17:00).
Në Ligën Unike Rahoveci ka bilans 3-6 ndërsa Prizreni 6-3. Në Superligë, Rahoveci ka bilans 5-11, kurse Prizreni’16 11-5.