Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

PEJA NDEZ LOJËN

Peja fillon lëvizjet, prezanton 5 lojtarë të ekipit për stinorin e ri

Peja fillon lëvizjet, prezanton 5 lojtarë të ekipit për stinorin e ri


9 August, 2024 @11:31

Mbrëmë Peja ka gëzuar tifozët e ekipit, ndërsa ka publikuar pesë lojtarë të skuadrës që do të jenë pjesë e ekipit për stinorin e ri të garave 2024/25.

Verdhezinjtë që në stinorin e kaluar mbyllën edicionin si gjysmëfinalist të playoffit të Superligës, kanë zyrtarizuar marrëveshjet me tre lojtarë vendorë dhe dy të huaj për stinorin e ri.

Së pari, pejanët kanë kthyer në ekip Arti Hajdarin që në stinorin e kaluar luajti për pak kohë për Prishtinën e pastaj vazhdoi te Prizreni, pas një kalimi të shkurtër te Teuta e Durrësit. Hajdari te Prizreni ku qëndroi më shumë luajti me mesatare prej 14 pikësh për ndeshje.

Pas tij, ekipi që edhe në stinorin e radhës do të drejtohet nga izraeliti Rami Hadar ka bërë të ditur se ka vazhduar marrëveshjen me mitrovicasin Musab Mala. Ky i fundit është edhe pjesë e reprezentacionit të Kosovës. Mala që luajti te Prizreni dhe te Peja në stinorin e kaluar kishte mesatare prej 5 pikëve për ndeshje te verdhezinjtë, ndërsa 10.7 pikë për ndeshje te bardhezinjtë.

Lojtari tjetër i radhës është vendori Rron Ukaj. I lindur e i rritur në Pejë, talenti që luajti së fundi në NCAA2 të SHBA-ve për UVA Wise, i është kthyer Kosovës dhe qytetit të tij. Basketbollisti 23 vjeç që luan në pozitën e alos dhe ndonjëherë edhe aloqendrës me 201 centimetrat e tij pritet të jetë shtesë cilësore pas përvojës në SHBA, ndërsa atje ka luajtur mesatarisht 14.1 minuta për ndeshje me 5.1 pikë për ndeshje.

Alo-qendra kanadeze Adong Makoui ishte i huaji i parë i prezantuar mbrëmë, ndërsa 24 vjeçari 205 centimetra i gjatë që do të provojë basketbollin e Kosovës, pas përvojës së parë evropiane të kaluar në Qipro me AEL Limassolin në stinorin e kaluar, ku luajti me 12.1 pikë për ndeshje dhe 6.5 kërcime për ndeshje.

Por, këtu nuk përfundoi asgjë për publikun pejan, pasi që klubi njoftoi edhe për një përforcim të huaj mbrëmë, ku zyrtarizoi Jawaun Danielsin. Amerikani 25 vjeçar që është shuter, ka luajtur në stinorin e kaluar në Gjeorgji për ekipin Kavkasia. Ai aty ka pasur mesatare impresive prej 20.7 pikësh për ndeshje, 2.1 asistimesh dhe 7.3 kërcimesh për ndeshje.

Me këto njoftime mbrëmë, Peja ka bërë të ditur se do të vazhdojë të jetë konkurrente e fortë në Superligë për titull dhe pas Trepçës dhe Bashkimit që veçse kanë publikuar disa përforcime bëhet ekipi i tretë i kësaj vere që rreshton skuadrën në luftë për lartësi.


 
Të gjitha lajmet nga FBK Superliga